Friday, May 29, 2026
spot_img
HomeLajmeBerisha: Propozimi për krijim të xhandarmërisë erdhi nga nervoza pas një rrahjeje...

Berisha: Propozimi për krijim të xhandarmërisë erdhi nga nervoza pas një rrahjeje ordinere (VIDEO)

Bekë Berisha, ish-kryetar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe kandidat i AAK-së për deputet, ka kritikuar ashpër idenë për formimin e xhandarmërisë në Kosovë, duke e cilësuar atë si propagandë elektorale të Albin Kurtit, që sipas tij është e  dëmshme për sektorin e sigurisë.

Në emisionin Rubikon, Berisha tha se deklaratat për krijimin e formacioneve të reja ushtarako-policore janë të pamatura dhe nuk përkojnë me orientimin perëndimor të Kosovës.

“Unë dua të flas më shumë çka është politike dhe propagandistike që e dëmton sektorin e sigurisë në vend. Ka deklarata të pamatura, të këqija dhe të dëmshme”, tha Berisha.

Ai u ndal edhe te diskutimet për rikthimin e ushtrisë së rregullt, duke thënë se një koncept i tillë nuk është në përputhje me aspiratat euroatlantike të Kosovës.

“Është propagandu shumë që dojmë me kthy ushtrinë e rregullt, që është doktrinë e lindjes. Ka qenë premtim, por kjo nuk bëhet sepse ne jemi të orientuar nga Perëndimi edhe aspirojmë NATO-n. Ajo është mbrojtja jonë, edhe miqtë i kemi ashtu edhe jemi dakorduar për këtë”, deklaroi Berisha, në Rubikon të Klan Kosovës.

Sipas Berishës, ideja për xhandarmëri synon krijimin e një formacioni të ri me ndikim politik dhe nuk i përshtatet traditës së sigurisë në Kosovë.

“Tash ka dal kjo e reja, që dojnë me ba xhandarmërinë, domethënë me ba një formacion të ri ushtarako-policor i cili pretendohet me pas ndikim direkt politik. Nuk i përkon kjo traditës sonë dhe kemi ne formacione mbrojtëse sa të dush”, tha ai.

Berisha shtoi se Kosova tashmë ka ushtri dhe synimi i saj është integrimin në NATO, prandaj sipas tij nuk ka nevojë për struktura të reja të sigurisë.

“Në fakt kjo është vetëm propagandë elektorale dhe kjo është bë në nervozë në momentin kur ndodhi një ekses, një rrahje ordinere. Por që s’ka nevojë me kriju formacione ushtarake-policore për me arrestu njerëz”, tha më tej Berisha. /Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT