Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka bllokuar udhëtimin e presidentit Bajram Begaj drejt Samitit të NATO-s në Ankara.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Berisha pretendon se Begaj ishte paraparë të kryesonte delegacionin shqiptar në samit, por sipas tij, Rama ndërhyri për të penguar pjesëmarrjen e kreut të shtetit.
Sipas Berishës, informacioni i është përcjellë nga ai që e quan “diplomati dixhital”, ndërsa pretendon se në dokumentet protokollare presidenti Begaj figuronte si drejtues i delegacionit shqiptar.
Ai akuzon kryeministrin se ka ndërmarrë veprime për të ndryshuar përfaqësimin e Shqipërisë në samit, duke e cilësuar këtë një akt antikushtetues.
Berisha pretendon gjithashtu se Rama udhëtoi i vetëm drejt Ankarasë, ndërsa presidentit Begaj, sipas tij, iu pamundësua pjesëmarrja në samitin e Aleancës.
Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga Kryeministria apo Presidenca e Shqipërisë lidhur me këto pretendime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


