Barcelona ka shfrytëzuar situatën për të “thumbuar” rivalin e madh, Real Madridin, pas raportimeve për një përplasje në stërvitje mes Aurelien Tchouamenit dhe Federico Valverdes.
Ngjarja, e cila ndezi rrjetet sociale të enjten, u konfirmua edhe nga vetë klubi madrilen përmes një deklarate zyrtare, ku bëhej e ditur se Valverde ishte dërguar në spital për trajtim pas një dëmtimi në kokë.
Vetë uruguaiani reagoi më pas me një deklaratë publike, ku kërkoi falje për incidentin, por mohoi se kishte pasur grushte, duke theksuar se kishte pësuar vetëm një “prerje të vogël” pasi kishte goditur kokën në një tavolinë.
Ndërkohë, Real Madridi ka hapur procedura të brendshme disiplinore ndaj të dy lojtarëve, duke i gjobitur secilin me nga 500 mijë euro (588,500 dollarë).
Sipas raportimeve, përplasja konsiderohet si kulmi i tensioneve të vazhdueshme prej muajsh në dhomën e zhveshjes, ku skuadra thuhet se është ndarë në dy kampe: njëra që mbështeste ish-trajnerin Xabi Alonso dhe tjetra që kërkonte largimin e tij.
Në të njëjtën kohë, Alvaro Carreras konfirmoi më herët gjatë javës se kishte qenë i përfshirë në një tjetër incident në stërvitje, ku sipas raportimeve Antonio Rudiger e kishte goditur me shuplakë mbrojtësin e majtë.
Kjo situatë e tensionuar brenda skuadrës krijon një sfond problematik për përballjen e së dielës në El Clasico, një ndeshje që shumë tifozë të Real Madridit po e presin me shqetësim.
Barcelona, nga ana tjetër, ka nevojë vetëm për një pikë në “Camp Nou” për të siguruar titullin e La Ligës dhe për ta lënë Real Madridin për të dytin sezon radhazi pa një trofe të madh.
Po ashtu, titulli nuk është konfirmuar kurrë më parë zyrtarisht në një ndeshje El Clasico, ndërsa skuadra e drejtuar nga Hansi Flick është vetëm dy fitore larg për t’u bërë ekipi i parë në La Liga që nga sezoni 1985/86 që e mbyll sezonin me rekord perfekt në ndeshjet në shtëpi.
Në këtë kontekst, Barcelona publikoi të enjten një mesazh që u interpretua si përgjigje indirekte ndaj situatës te rivali. Klubi ndau një fotografi të mesfushorit Dani Olmo duke kaluar në “korridorin” tradicional të goditjeve për ditëlindje nga bashkëlojtarët, të shoqëruar me mbishkrimin: “duke festuar në familje”.
Në dritën e zhvillimeve te Real Madridi, ky postim u pa gjerësisht si një “thumbim” i qëllimshëm nga ana e Barcelonës ndaj rivalëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


