Avokatja Besiana Ismajli ka deklaruar se dënimet e shqiptuara për rastin e sulmit terrorist në Banjskë pritet të qëndrojnë edhe në instancat më të larta të gjykatave.
Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, ajo tha se vendimi për burgim të përjetshëm ndaj Vlladimir Toliq dhe Bllagoje Spasojeviq, si dhe dënimi me 30 vjet burgim për Dushan Maksimoviq, janë të bazuara në rrethanat e rënda të veprës penale.
“Pa dyshim që po, një aktgjykim i tillë do t’i mbijetojë shkallës së gjykatave më të larta, sepse mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer kjo vepër përfshijnë terrorizëm, sulm ndaj rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe vrasje të rënda, të cilat e bëjnë një dënim me burgim të përjetshëm”, tha Ismajli.
Ajo po ashtu tha se edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë rast, në krye me Milan Radoiçiqin, pritet të përballen me të njëjtin fat kur të arrestohen.
“Do të gjykohen njëjtë, sepse provat janë të njëjta. Edhe pse nuk kanë qenë fizikisht aty, janë parë rolet e tyre gjatë organizimit dhe planifikimit, mobilizimit, diskutimeve dhe kontakteve mes tyre. Pritet të arrestohen dhe të gjykohen në të njëjtën formë, dhe shpresojmë që do të dënohen njëjtë si këta të tre”, tha Ismajli.
Ndiqni deklaratën e plotë:


