Nëntë vende të lira pune për 7 pozita të ndryshme u shpallën nga QKUK-ja dy javë pa përfunduar viti 2025. Në mesin e zyrtarëve që kërkoheshin në konkursin e 16 dhjetorit të 2025-ës, ishin edhe dy vende të lira për “zyrtar i lartë i IT-së”.
Sipas kritereve të konkursit, për këtë pozitë kërkohej diploma me të paktën 240 kredi/ECTS nga fusha e Teknologjisë Informative, si dhe të paktën dy vjet përvojë pune profesionale. Mirëpo, një muaj më vonë u mor vendimi për ndryshim/plotësimin e këtij konkursi, me arsyetimin se ka pasur një gabim teknik pikërisht te pozita e zyrtarit të lartë të IT-së.
Në vendimin e protokoluar më 14 janar 2026, thuhet se janë kërkuar dy zyrtarë të lartë, por në fakt është dashur të jetë, një zyrtar i lartë i IT-së dhe një zyrtar i IT-së. Me këtë rast, për pozitën e re, atë të zyrtarit të IT-së kërkohej vetëm diploma e nivelit bachelor dhe veç një vit përvojë pune profesionale.
Kandidatët të cilët i plotësuan kushtet për pozitën “zyrtar i IT-së” ishin Liridon Sokoli dhe Atdhe Redenica. Pas nënshtrimit të testimit me shkrim dhe intervistës me gojë, më 13 shkurt, ditën kur u mbajt edhe intervista, QKUK-ja shpalli rezultatet përfundimtare të konkursit.
Sipas këtij njoftimi, zyrtar i IT-së në QKUK u zgjodh Atdhe Redenica, me gjithsej 90.6 pikë, me 6.65 pikë më shumë se kundërkandidati i tij i vetëm Liridon Sokoli, i cili mori 83.95 pikë.
Mirëpo, me këtë rezultat nuk qe i kënaqur Sokoli. Ai pretendon se konkursi për zyrtar të IT-së në QKUK ishte i kurdisur që ta fitonte Atdhe Redenica, prandaj, pretendon se edhe u ulën kreditë nga 240 në 180 sosh.
Dyshimet se konkursi është hapur për një person specifik, atij i kishin lindur qysh në ditën kur shkoi për t’i dorëzuar dokumentet për aplikim në konkurs. Megjithatë, ai ishte çuditur kur e kishte parë Redenicën në testin me shkrim për pozitën zyrtar i IT-së, pasi pohon se e kishte parë me sytë e tij librin e regjistrimit, kur ai kishte aplikuar për pozitën zyrtar i lartë i IT-së.
Sokoli hedh dyshimet se Redenica nuk e ka as kualifikimin i cili është kërkuar në konkurs për zyrtar të IT-së. Sipas tij, në CV-në e Redenicës shkruan se ai studion Programim në një kolegj privat.
Megjithatë, ai e akuzon Atdhe Redenicës se këto pozitë e ka marrë vetëm falë faktit që është i biri i asamblistit të Vetëvendosjes.
E gjithë këtë punë, Sokoli pohon se e ka kryer Avni Redenica, një zyrtar që thotë se punon në QKUK e që sipas tij, është axha i Atdheut. Dyshimet thotë se i janë përforcuar me veprimet e kandidatit fitues menjëherë pas shpalljes së rezultateve. Tre minuta pas publikimit të listës përfundimtare, Sokoli thotë se Redenica ka deaktivizuar llogarinë e tij në Facebook, sipas tij, për t’i fshehur lidhjet e tij me partinë në pushtet.
Prandaj, lidhur me të gjitha pretendimet e tij, më 18 shkurt Sokoli bëri ankesë në Komisionin e Ankesave të QKUK-së. Mirëpo, ky komision e refuzoi ankesën e tij si të pabazuar.
QKUK-ja jo vetëm që refuzoi ankesën, por nuk ia mohoi Sokolit as qasjen në testin e tij me shkrim, procesverbalin e intervistës, librin e regjistrimit të kandidatëve, e dokumentet e kandidatit fitues. Qasja në këto dokumente iu mundësua më shumë se dy muaj më vonë, vetëm pas shkresës njoftuese të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Me dëshmitë që thotë se i ka në duar, Sokoli i bën thirrje prokurorisë që të hetojë konkursin në tërësi, pasi që ai dyshon se janë manipuluar të gjitha procedurat në të gjitha vendet e punës që janë hapur përmes këtij konkursi.
Ndiqni kronikat e Kiks Kosova të përgatitura për këtë konkurs:
Ndiqeni emisionin e plotë:


