Në gjashtë vjet funksionim, Gjykata Speciale në Hagë ka dhënë aktgjykime ndaj 11 personave në rastet e përfunduara, dhe të gjithë janë dënuar të paktën për një vepër penale.
Në këtë listë hyjnë Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Salih Mustafa, Pjetër Shala, Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, ndërsa më 16 shtator 2026 kësaj liste iu shtuan edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se në këto procese nuk ka pasur vendime pafajësie për pika të caktuara. Për shembull, Gucati dhe Haradinaj u shpallën të pafajshëm për njërën nga pikat në Apel, ndërsa katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për disa incidente të veçanta të krimeve të luftës.
Në rastin e fundit, Gjykata Speciale i dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet. Trupi Gjykues i gjeti përgjegjës për krime lufte që lidhen me ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave.
Dënimet në Hagë kanë ndryshuar edhe gjatë procedurave të apelit. Salih Mustafa fillimisht u dënua me 26 vjet burgim, më pas dënimi iu ul në 22 vjet dhe në vitin 2024 u caktua përfundimisht në 15 vjet.
Pjetër Shala u dënua fillimisht me 18 vjet burgim, ndërsa në Apel dënimi iu ul në 13 vjet.
Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u dënuan pas marrëveshjeve për pranimin e fajësisë. Shala mori tre vjet burgim, ndërsa Januzi dhe Bahtijari nga dy vjet.
Rasti i Gjykatës Speciale bie në sy edhe kur krahasohet me disa tribunale të tjera ndërkombëtare.
Në Gjyqin e Nurembergut, nga 22 të akuzuarit kryesorë, 19 u shpallën fajtorë dhe tre u liruan nga akuzat.
Edhe Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka pasur raste të pafajësisë. Të dhënat zyrtare të tribunalit listojnë 18 persona të liruar nga akuzat, krahas të dënuarve dhe rasteve të tjera që përfunduan për arsye procedurale.
Një situatë e ngjashme është parë edhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën, ku 14 të akuzuar janë shpallur të pafajshëm.
Këto të dhëna kanë bërë që mënyra e trajtimit të rasteve në Hagë të jetë pjesë e debatit publik në Kosovë, veçanërisht pas aktgjykimit të 16 shtatorit.
Pas vendimit ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, në Prishtinë janë zhvilluar protesta të njëpasnjëshme kundër aktgjykimit. Më 18 shtator, për të tretën natë radhazi, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin e Prishtinës, ndërsa në tubime u dëgjua edhe thirrja “Jo në emrin tim”.
Në këtë mënyrë, statistikat e proceseve të përfunduara në Hagë, dënimet e shqiptuara dhe krahasimet me tribunalet e tjera ndërkombëtare kanë rikthyer në vëmendje pyetjet mbi mënyrën se si është zhvilluar drejtësia ndërkombëtare në rastet që lidhen me luftën në Kosovë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


