Një person me inicialet I.M. është arrestuar të dielën në Zveçan, nën dyshimet për përfshirje në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023.
Sipas një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, arrestimi është kryer nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale, transmeton Klankosova.tv.
Ai dyshohet për disa vepra penale, përfshirë sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, si dhe rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.
Një muaj paraburgim ndaj serbit që dyshohet se sulmoi KFOR-in në Zveçan
Arrestimi, sipas autoriteteve, është bërë pas ndërmarrjes së një sërë veprimeve hetimore lidhur me ngjarjet e majit 2023, kur pjesëtarë të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës u sulmuan në veri të vendit.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë me veprimet e nevojshme procedurale, në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.


