Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arritur t’i kapë tre persona në Gjakovë, pasi dyshohet se e kanë rrahur, goditur me thikë dhe e më pas e kanë grabitur një të mitur.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në qytetin e Gjakovës, ku i mituri pas një përleshjeje fizike, është sulmuar me thikë nga tre persona të dyshuar, me ç’rast më pas viktimës i është marrë edhe një shumë parash.
Pas ngjarjes, ata ndodheshin në arrati, ku më pas kanë rënë në prangat policore.
“Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, menjëherë pas raportimit të rastit, njësitë relevante policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme operative dhe hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit, si dhe identifikimit dhe lokalizimit të personave të përfshirë.
“Si rezultat i punës intensive hetimore dhe veprimeve të shpejta policore, Sektori i Hetimeve Rajonale në Gjakovë, më datë 02.06.2026, ka arritur të identifikojë, lokalizojë dhe arrestojë të tre personat e dyshuar, përkatësisht dy meshkuj të mitur dhe një mashkull të moshës madhore.”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave policore, me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Sipas forcave të rendit, hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar për sqarimin e plotë të të gjitha rrethanave të ngjarjes. /Klankosova.tv


