Saturday, September 12, 2026
spot_img
HomeLajmeArratiset “Michael Scofield” shqiptar në Greqi – “shokët” e tij u shtirën...

Arratiset “Michael Scofield” shqiptar në Greqi – “shokët” e tij u shtirën si policë gjatë transportit në spital

Një i burgosur shqiptar është arratisur nga spitali i Serres në Greqi, pasi disa persona të armatosur ndërhynë gjatë transportimit të tij dhe i detyruan shoqëruesit të dorëzoheshin.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes, kur 41-vjeçari po dërgohej nga burgu i Nigritës në spital për kontroll mjekësor.

Sipas raportimeve të mediave greke, në momentin kur automjeti i burgut ndodhej pranë repartit psikiatrik të spitalit, aty mbërritën disa persona me automjete që ngjanin me ato të policisë.

Fillimisht, shoqëruesit dyshuan se bëhej fjalë për një ndërhyrje policore. Por situata ndryshoi menjëherë kur personat zbritën nga automjetet të armatosur me kallashnikovë.

Ata kërcënuan punonjësit që po shoqëronin të burgosurin, ua morën armët e shërbimit dhe e nxorën 41-vjeçarin nga automjeti.

Më pas, grupi u largua me automjete, ndërsa policia greke nisi një operacion kërkimi në zonën e Serres dhe më gjerë.

Një prej automjeteve të përdorura në arratisje raportohet të ketë qenë një Nissan Navara, i pajisur me një dritë sinjalizuese, duke e bërë atë të ngjante me automjetet që përdoren nga njësitë policore.

I arratisuri, shtetas shqiptar rreth 40-41 vjeç, ishte duke vuajtur dënimin dhe dyshohet se kishte qenë i përfshirë në një rast të tentativës për vrasje në Selanik. Emri i tij është lidhur gjithashtu me hetime për vepra që kanë të bëjnë me armë dhe drogë.

Autoritetet greke po punojnë për identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave që morën pjesë në arratisje. Deri në raportimet e fundit, 41-vjeçari dhe bashkëpunëtorët e tij nuk ishin lokalizuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT