Emri i Granit Xhakës u përfol shumë gjatë merkatos së kësaj vere, me mesfushorin zviceran që ishte lidhur me një transferim te Chelsea, ku do të ribashkohej me Xabi Alonson.
Xhaka ka punuar me trajnerin spanjoll te Bayer Leverkusen, ku së bashku fituan kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë. Megjithatë, 34-vjeçari vendosi të qëndrojë te Sunderland dhe tani ka zbuluar arsyet që e shtynë të refuzonte transferimin në Londër.
Në një intervistë për podcastin “The Sports Agents”, Xhaka tha se vendimi lidhej me angazhimin e tij ndaj projektit të Sunderlandit, të cilin nuk dëshiron ta lërë pas vetëm pas një sezoni.
“Sezonin e kaluar kur nënshkrova kontratën këtu, kisha një plan, dhe plani ishte që të vazhdoja me këtë projekt, të besoja te ky projekt dhe të punoja për këtë projekt-gjithnjë i them vetes dhe njerëzve se nuk kam ardhur këtu vetëm për një sezon”, tregon Granit Xhaka.
Mesfushori më pas pranoi se ishte një privilegj për të që Xabi Alonso dëshironte ta kishte sërish nën urdhrat e tij, por theksoi se prioriteti i tij mbeti Sunderland.
“Sigurisht, është një privilegj i madh për mua që Xabi Alonso, me të cilin unë kam punuar, dëshironte të më kishte sërish-është një privilegj i madh që një klub si Chelsea kërkon një futbollist që është rreth 34 vjeç. Por unë gjithnjë kam qenë në kontakt me trajnerët e mi. Kjo nuk do të thotë se kur je në kontakt me një trajner, fshihet diçka pas kësaj. Në rastin tim, kishte diçka pas, por unë jam i impenjuar me klubin. Kur fola me pronarin e Sunderland, i thashë që në fillim se kam ndjesinë se ky projekt nuk është mbyllur ende dhe ky është motivimi im, për këtë arsye jam ende këtu të bëj hapin tjetër. Dua të shijoj futbollin evropian me këtë klub, me tifozët dhe shpresoj që të marrim akoma më shumë pas këtij sezoni”, vijoi Xhaka.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


