Opinionisti Rrahman Paçarizi, lidhur me amanetin e Rexhep Qosjes që të varroset në praninë e familjes së ngushtë dhe të mos marrin pjesë në organizime shtetërore, e ka cilësuar letrën si një dokument krejtësisht personal dhe familjar.
Paçarizit tha në Rubikon me Adriatik Kelmendin në KlanKosova se letra përfaqëson një dëshmi të qartë të vullnetit të fundit të Qosjes, e cila, siç tha ai, ishte shkruar rreth dhjetë vite më parë, në një gjendje të kthjellët mendore dhe jo nën ndikimin e frikës apo presionit të momentit.
“Kjo është një letër krejt personale, familjare që Qosja ia ka lënë familjes edhe e ka udhëzu për dëshirën e tij të fundit. Është e rëndësishme që letra është shkruar, dhjetë vjet më herët, që kallëzon se Qosja ka qenë i kthjellët nuk ka qenë në presionin e frikës së vdekjes apo momente kur truri nuk është i kthjelltë. Qosja sado që është i njohur për natyrën e tij polemizuese, gati konfliktuoz, ka qenë koherent në qëndrimet e tij edhe kjo letër është rezultate i koherencës së tij të sjelljes”, tha Paçarizi.
Megjithatë, ai ngriti dilema lidhur me publikimin e saj, duke vlerësuar se një dokument i tillë nuk ka qenë domosdoshmërisht për publikun.
“Mendoj që letrat e tilla, nuk e di nëse është dashur të botohet, nuk e di pse e kanë shpallë. Ndoshta për me i bind njerëzit që kjo ka qenë vërtetë dëshira e tij. Por realisht është letër krejt personale familjare që nuk ka pasur nevojë që me dalë me shku te publiku se mandej ka çështje që do të diskutohen. Dhe kur i diskutojnë këto çështje pa praninë e autorit, është pak problematike”, tha më tej Paçarizi. /Klankosova.tv


