Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj S.S. për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, për pjesëmarrje në vrasjen e nëntë civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.
Sipas Prokurorisë Speciale, ngjarja ka ndodhur më 6 prill 1999, në fshatin Reznik të Vushtrrisë.
Në aktakuzë, S.S. dyshohet se, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe dhe me S.T., i cili tashmë është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, mori pjesë në vrasjen e nëntë civilëve shqiptarë.
Prokuroria pretendon se viktimat u vranë gjatë një aksioni të forcave serbe në këtë fshat.
Detaje të rënda për mënyrën se si dyshohet se u trajtuan viktimat janë përfshirë në aktakuzë.
“Disa prej viktimave u dogjën për së gjalli, ndërsa disa të tjera u dogjën pasi ishin vrarë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Rasti tashmë është dërguar në procedurë gjyqësore, ndërsa S.S. do të përballet me akuzat për krime lufte kundër popullsisë civile.
Prokuroria Speciale ka theksuar se aktakuza është ngritur mbi bazën e dyshimeve për përfshirjen e të pandehurit në këto ngjarje.


