Friday, July 3, 2026
spot_img
HomeLajmeAktakuzë ndaj gjashtë personave për keqpërdorim dhe mashtrim me tenderë në Suharekë

Aktakuzë ndaj gjashtë personave për keqpërdorim dhe mashtrim me tenderë në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, katër prej tyre zyrtarë komunalë dhe dy pronarë të operatorëve ekonomikë, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik në Komunën e Suharekës.

Sipas aktakuzës, zyrtarët komunalë dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat e tyre gjatë menaxhimit të disa kontratave për ndërtimin e rrugëve lokale në fshatin Javor dhe Luzhnicë, duke miratuar punime dhe pagesa për projekte që nuk ishin përfunduar plotësisht, ndërsa në disa raste rrugët e parapara nuk ishin realizuar fare.

Në një nga rastet, dyshohet se është lejuar pagesa në vlerë mbi 29 mijë euro, pavarësisht se një nga segmentet rrugore nuk ishte ndërtuar, duke i mundësuar përfitim të kundërligjshëm operatorit ekonomik dhe duke shkaktuar dëm financiar për Komunën e Suharekës.

Raste të ngjashme janë evidentuar edhe në kontrata të tjera, ku sipas Prokurorisë janë aprovuar punime dhe pagesa në kundërshtim me gjendjen reale në terren, duke sjellë përfitime të paligjshme për kompanitë e kontraktuara.

Prokuroria ka propozuar që të pandehurit të shpallen fajtorë pas shqyrtimit gjyqësor dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe të ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për personat e përfshirë në rast.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT