Gazeta Sinjali ka raportuar mbrëmjen e sotme për një aksion policor në Prizren, i cili ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar për fajde.
Sinjali raportoi ekskluzivisht se të arrestuarit janë Fadil Selimi, Beqir Selimi dhe Arsim Dogani.
Tre të dyshuarit janë arrestuar gjatë një operacioni policor të zhvilluar pas një hetimi përmes aplikimit të masave të fshehta të hetimit. Ata dyshohen për veprën penale “Fajdeja”.
Njëra nga skenat më të “bujshme” të aksionit ka ndodhur gjatë tentimit për arrestimin e njërit prej të dyshuarve, i cili ka tentuar të largohet me automjet.
Sinjali mëson nga burimet se gjatë ikjes, i dyshuari fillimisht ka goditur me veturë një zyrtar policor – hetues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë. Si pasojë, polici ka pësuar lëndime të lehta trupore.
I dyshuari ka vazhduar arratisjen me veturë, ndërsa në një fshat të Prizrenit ka goditur një veturë.
Më pas, në një fshat tjetër, ai ka goditur edhe një këmbësore 17-vjeçare. E mitura ka pësuar lëndime, por sipas informacioneve të deritanishme është jashtë rrezikut për jetë.
Pas veprimeve policore, i dyshuari është ndaluar dhe arrestuar.
Bastisjet në disa lokacione, njëra prej tyre në rrugën “Agron Fetahu”
Gjatë operacionit janë bastisur disa lokacione në Prizren. Njëra prej tyre ka qenë edhe në rrugën “Agron Fetahu”, ku gjatë aksionit është parë një prani e madhe e forcave policore, të cilat e kanë “blinduar” zonën.
Gjatë arrestimit të të dyshuarit që tentoi të arratisej, janë gjetur edhe para të dyshuara se janë dhënë për qëllime të simulimit. Të hollat janë sekuestruar për hetime të mëtejshme.
Çfarë u sekuestrua gjatë aksionit?
Sinjali mëson se gjatë operacionit janë sekuestruar të holla, vetura, akte noteriale dhe prova digjitale, të cilat mund të ndihmojnë në dokumentimin e veprës penale për të cilën dyshohen të arrestuarit.
Aksioni ka nxjerrë në pah edhe elemente të tjera. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar edhe substanca narkotike, përkatësisht kokainë dhe marihuanë.
Të gjitha këto materiale janë sekuestruar nga autoritetet për procedura të mëtejshme hetimore.
Hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi aktivitetin e të dyshuarve, mënyrën e veprimit të tyre dhe rrethanat e veprave për të cilat po hetohen.
Kujtojmë se, Beqir Selimi, i njohur si “Beqë Prizreni”, njëri nga tre personat e arrestuar në aksionin kundër fajdes në Prizren, është emër i njohur për organet e drejtësisë dhe në të kaluarën është përmendur edhe si person i afërt me grupin e Dibran Hoxhajt, i njohur si “Kobra”.
Selimi është parë në pamje të publikuara më herët nga mediat, ku shihet duke u përfshirë në një përleshje me Edison Hotin, në një incident ku ishte i pranishëm edhe Dibran Hoxhaj.
Po ashtu, Selimi i kishte ofruar siguri Dibran Hoxhajt gjatë kohës sa ky i fundit ishte i lirë.
Sinjali do të raportojë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


