Wednesday, August 19, 2026
spot_img
HomeLajmePërmirësohet situata e zjarreve në Shqipëri, 4 vatra aktive dhe 3 nën...

Përmirësohet situata e zjarreve në Shqipëri, 4 vatra aktive dhe 3 nën monitorim

Situata e zjarreve në territorin e Shqipërisë paraqitet në përmirësim të dukshëm. Sipas përditësimit zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, deri në orët e mbrëmjes janë regjistruar gjithsej 7 vatra zjarri, prej të cilave 4 mbeten aktive, ndërsa 3 të tjera janë nën monitorim të rreptë.

Për përballimin e situatës në terren janë angazhuar 140 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa nga ajri operacionet po mbështeten nga 3 helikopterë dhe 2 avionë të specializuar Air Tractor.

Autoritetet bëjnë të ditur se në të gjitha zonat e prekura, banesat dhe zonat e banuara nuk paraqiten në rrezik.

Vatrat aktive

Në Dajt të Tiranës, vijon puna për izolimin e vatrës, ku janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter. Paralelisht, vatra e riaktivizuar në Priskë po monitorohet nga forcat operacionale dhe aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat.

Në Malin e Tërbunit në Pukë, po zhvillohet një operacion i gjerë për shkak të terrenit të thyer. Në terren janë angazhuar 30 efektivë të FA-së, 13 zjarrfikës, 8 punonjës të Shërbimit Pyjor, 45 forca bashkiake dhe 22 vullnetarë, ndërsa operacioni mbështetet nga dy helikopterë.

Ndërkohë, në Lufaj të Mirditës, vatra vijon të jetë aktive, por me intensitet të ulët dhe avancim të lehtë. Forcat operacionale janë pozicionuar në terren për të parandaluar përhapjen e zjarrit.

Shuhen zjarret në Gurë-Lurë dhe Mat

Lajm pozitiv është shuarja e plotë e zjarrit në Gurë-Lurë të Dibrës, pas një operacioni kompleks ku morën pjesë rreth 150 forca vendore, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë Air Tractor.

Gjithashtu, është shuar plotësisht zjarri në Bruç të Matit.

Ndërkohë, vatrat në Qafë Helmes, Tharri dhe Selenicë janë vënë nën kontroll të plotë dhe po monitorohen nga strukturat e emergjencave civile, me qëllim parandalimin e çdo riaktivizimi të mundshëm.

Autoritetet vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në zonat ku zjarret mbeten aktive, ndërsa situata e përgjithshme paraqitet në përmirësim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT