Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar sulmet kibernetike që kanë goditur portalin Vox Kosova, duke theksuar shqetësimin për pengimin e lirisë së medias dhe shpërndarjes së informacionit.
Përmes një postimi në Facebook, AGK tha se portali ka përjetuar mbyllje të llogarive të tij në rrjetet sociale: dy herë në Facebook, dy herë në TikTok dhe një herë në Instagram.
Asociacioni ka bërë thirrje te Policia e Kosovës dhe Prokuroria që të ndërmarrin hetimet e nevojshme për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e sulmeve.
“AGK-ja dënon fuqishëm këto sulme ndaj Vox Kosova, e që minojnë lirinë e medias dhe shprehjes në Kosovë, dhe kanë për qëllim pengimin e shpërndarjes së lirë të informacionit. AGK-ja qëndron në mbështetje dhe solidaritet të plotë me Vox Kosova, dhe të tjera media që kohëve të fundit janë penguar për ta kryer punën e tyre si pasojë e këtyre sulmeve”, thuhet në reagim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


