Sunday, May 3, 2026
spot_img
HomeLajmeAGK: Gazetarët në Kosovë vazhdojnë të jenë të ekspozuar ndaj sulmeve dhe...

AGK: Gazetarët në Kosovë vazhdojnë të jenë të ekspozuar ndaj sulmeve dhe presioneve politike

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka ngritur shqetësime për gjendjen e lirisë së medias në Kosovë, duke theksuar se gazetarët vazhdojnë të jenë objekt i sulmeve dhe presioneve të ndryshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.

Në deklaratën e saj, AGK-ja thekson se gazetarët përballen me sfida të vazhdueshme, përfshirë fushata denigruese dhe përdorimin e gjuhës që, sipas tyre, synon të ulë besimin e publikut ndaj mediave.

Sipas asociacionit, shqetësim mbetet edhe mënyra e zgjedhjes së bordeve në institucionet publike të medias, të cilat konsiderohen të ndjeshme ndaj ndikimeve politike.

AGK ka bërë thirrje që të gjithë akterët politikë të respektojnë pavarësinë e mediave dhe të mos ndërhyjnë në punën e gazetarëve, duke theksuar rëndësinë e tyre në funksionimin demokratik të vendit.

Në deklaratë gjithashtu vlerësohet përmirësimi i Kosovës në indeksin e lirisë së medias të organizatës Reporterët pa Kufij, por theksohet se sfidat mbeten të pranishme.

AGK ka kërkuar politika më të ashpra mbrojtëse për gazetarët dhe ndëshkim më të rreptë për rastet e sulmeve ndaj tyre, duke ritheksuar angazhimin për mbrojtjen e sigurisë dhe kushteve të punës së punonjësve medialë.

Sipas AGK-së, mediat në Kosovë vazhdojnë të luajnë një rol kyç në informimin e publikut dhe forcimin e demokracisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT