Kompania gjermane, RWE, ka thënë se do t’i braktisë projektet e saj të energjisë së erës në Shtetet e Bashkuara pas arritjes së një marrëveshjeje për pagesë prej 1,2 miliard dollarësh me Departamentin e Brendshëm të administratës amerikae të presidentit Donald Trump.
RWE-ja tha se tani këtë shumë do ta investojë në projekte konvencionale të gazit, përfshirë 900 milionë dollarë në një projekt për terminal të eksportit të gazit natyror të lëngëzuar në Louisiana, raporton BBC.
“Pas shqyrtimit të kujdesshëm, u përcaktua se nuk ka rrugë përpara drejt dhënies së lejes për këto projekte në ShBA për të ardhmen e parashikueshme” – tha kompania gjermane në një deklaratë.
Trumpi e ka përqeshur energjinë e erës me vite dhe shpesh i ka shfrytëzuar fjalimet e tij në tubime për t’i kritikuar turbinat “e shëmtuara”.
Sekretari i Brendshëm i ShBA-së, Doug Burgum, tha në një deklaratë të publikuar në rrjetin X se amerikanët meritojnë një sistem energjetik të ndërtuar mbi logjikën e jo një që varet nga “subvencionet e kushtueshme”.
Trumpi ka bërë përpjekje që ta fuqizojë mbështetjen qeveritare për lëndët fosile.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


