Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilloi një vizitë të fshehtë në Abu Dhabi, ku u takua me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
Vizita u zhvillua të dielën dhe fillimisht nuk u bë publike. Të hënën, ajo u konfirmua nga agjencia zyrtare e lajmeve të Emirateve, WAM, e cila tha se dy liderët diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe mënyrat për forcimin e tyre.
Por pas takimit doli një tjetër detaj.
Sipas Associated Press, duke cituar persona të informuar për takimin, Netanyahu i kërkoi Mohamed bin Zayed të mohonte publikisht raportimet se presidenti i Emirateve e kishte paralajmëruar atë para sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
Raportimet lidhen me një shkrim të publikuar më herët nga “Haaretz”, sipas të cilit bin Zayed kishte paralajmëruar Netanyahun për një sulm të mundshëm të madh të Hamasit.
Netanyahu e ka mohuar këtë pretendim. Zyra e tij ka deklaruar se ai nuk kishte marrë një paralajmërim të tillë nga presidenti i Emirateve.
Takimi në Abu Dhabi zgjati rreth një orë, sipas personave të informuar për vizitën, ndërsa vetë Emiratet në deklaratën zyrtare nuk përmendën raportimet për paralajmërimin para 7 tetorit.
Vizita u bë gjithashtu e bujshme për shkak të mënyrës se si u zbulua.
Kanali izraelit “Channel 12” raportoi për udhëtimin e Netanyahut ndërsa avioni i tij ende nuk kishte hyrë në hapësirën ajrore të Izraelit.
Shërbimi i Sigurisë së Brendshme të Izraelit, Shin Bet, më pas paraqiti ankesë te censori ushtarak kundër televizionit, duke pretenduar se publikimi i informacionit kishte rrezikuar sigurinë e kryeministrit dhe delegacionit. Sipas zyrës së Netanyahut, raportimi u publikua rreth një orë para se avioni të ulej në Izrael.
Në delegacionin izraelit, sipas zyrës së kryeministrit, ndodheshin edhe zyrtarë të lartë të sigurisë dhe drejtues të Mossadit.
Ndërkohë, Emiratet thanë zyrtarisht se bisedimet u përqendruan në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe sfidat rajonale. Nga pala izraelite është thënë gjithashtu se në diskutime ishin çështjet rajonale dhe lufta me Iranin.
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike në vitin 2020 përmes Marrëveshjeve të Abrahamit, të ndërmjetësuara nga administrata e atëhershme amerikane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


