Modelja amerikane e platformës “OnlyFans”, Courtney Clenney, pritet t’i shpëtojë dënimit me burgim të përjetshëm pasi ka arritur një marrëveshje me prokurorinë në rastin e vrasjes së të dashurit të saj, Christian Obumseli, i cili u vra në vitin 2022.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, përfshirë TMZ dhe revistën People, marrëveshja është konfirmuar edhe nga avokatët e Clenney, ndërsa detajet e saj pritet të bëhen publike më 10 gusht, në ditën kur ishte planifikuar të niste gjykimi.
Në seancën e parë gjyqësore pritet të shpallet edhe dënimi i dakordësuar, i cili do të jetë më i ulët se burgimi i përjetshëm – masa maksimale që rrezikonte modelja për akuzën e vrasjes së shkallës së dytë.
Prokuroria kishte paraqitur një sërë provash kundër Clenney, përfshirë një video nga ashensori i ndërtesës ku ajo shihej duke sulmuar partnerin e saj. Gjithashtu, u publikuan edhe mesazhe të dërguara nga Obumseli para vdekjes, ku ai shprehte frikë për jetën e tij.
“A do të më vrasë dashuria ime për ty?”, thuhej në një nga mesazhet që ai i kishte dërguar rreth një muaj para ngjarjes. Në një tjetër mesazh, duke iu referuar një incidenti të mëparshëm me thikë, ai kishte shkruar: “Çfarë mund të ndodhë herën tjetër?”
Sipas aktakuzës, ngjarja ndodhi më 3 prill 2022, kur Clenney dyshohet se e goditi Obumselin me thikë në kraharor, duke i shkaktuar dëmtim të arteries kryesore. 27-vjeçari humbi jetën si pasojë e gjakderdhjes së rëndë.
Megjithatë, mbrojtja ka pretenduar se marrëdhënia mes tyre ishte abuzive dhe se Obumseli kishte ushtruar dhunë ndaj modeles në disa raste. Avokatët e Clenney kanë argumentuar se ajo kishte vepruar në vetëmbrojtje, duke thënë se një fqinj kishte parë të riun duke e sulmuar atë pak para incidentit.
Familja e viktimës i ka mohuar këto pretendime dhe ka kërkuar vazhdimisht drejtësi për vdekjen e 27-vjeçarit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


