Friday, May 29, 2026
spot_img
HomeLajme3.2 milion euro për rrugët e Mitrovicës që do të asfaltohen nga...

3.2 milion euro për rrugët e Mitrovicës që do të asfaltohen nga ‘dostat’ dhe do të menaxhohen nga 71-vjeçarja nga Tirana (VIDEO)

Rrugët në fshatrat Bajgorë, Rashan, Tërstenë, Kutllovc dhe Vllahi në Mitrovicë duket se do të mbesin edhe për një kohë të pashtruara, pasi tenderi mbi 3.2 milionë euro për asfaltimin e tyre është përfshirë në ankesa, përplasje ligjore, dyshime për konflikt interesi dhe konteste rreth procesit të vlerësimit.

Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka shpallur të kundërligjshëm anulimin e tenderit nga Komuna e Mitrovicës dhe ka urdhëruar kthimin e lëndës në rivlerësim.

Tenderi ishte hapur më 23 qershor 2025 nga Komuna e Mitrovicës, në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës. Në garë kishin aplikuar disa operatore ekonomik me oferta milionëshe. Oferta më e lirë ishte ajo e grupit “Valdrini SH.P.K.” me rreth 2.8 milionë euro, pasuar nga “Quality Asphalt” me rreth 2.9 milionë euro, ndërsa grupi “Dio Bes SH.P.K.” dhe “Eurokos Holding SH.P.K.” ishte propozuar për kontratë me ofertë mbi 3 milionë euro.

Megjithëse procedura kishte kaluar fazën e vlerësimit, Komuna e Mitrovicës e anuloi tenderin me arsyetimin se gjatë një “rishqyrtimi teknik” ishin konstatuar mospërputhje mes paramasës dhe projektit ekzistues. Sipas komunës, dokumentacioni teknik nuk përputhej dhe stafi inxhinierik kishte rekomanduar anulimin dhe rihapjen e procedurës.

Ky vendim u kundërshtua nga operatorët ekonomik “Dio Bes” dhe “Quality Asphalt”, të cilët pretenduan se komuna nuk kishte bazë ligjore për anulim pasi ofertat tashmë ishin hapur dhe vlerësuar. Eksperti i OSHP-së dhe më pas edhe Paneli Shqyrtues konstatuan se komuna kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin per Prokurimin Publik dhe nuk kishte dhënë arsye të qarta për anulimin e tenderit.

Pas kthimit të lëndës në rivlerësim, Komuna e Mitrovicës vendosi ta respektojë vendimin e OSHP-së dhe më 30 prill 2026 shpalli fitues grupin “Dio Bes SH.P.K.” dhe “Eurokos Holding SH.P.K.”, edhe pse në garë kishte kompani me oferta më të lira. “Quality Asphalt” pretendoi se ishte eliminuar padrejtësisht dhe se oferta e saj ishte rreth 90 mijë euro më e lirë se operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë.

Në ankesen e dorëzuar në OSHP, “Quality Asphalt” pretendoi se komuna nuk i kishte dhënë qasje të plotë në dokumentacionin e ofertuesit fitues, duke ia lejuar shqyrtimin e dokumenteve vetëm në ditën e fundit të afatit ankimor. Kompania pretendon se disa dokumente ishin mbajtur të fshehura nën arsyetimin e konfidencialitetit, edhe pse sipas saj ato lidhen direkt me plotësimin e kritereve të  tenderit.

Konteste pati edhe rreth stafit profesional të paraqitur nga grupi “Dio Bes” dhe “Eurokos Holding”. Ne qender te debatit perfunduan dy inxhiniere nga Shqiperia, Suada Dodaj dhe Zhuljeta Kyçyku, emrat e të cilave figuronin në dokumentacionin e tenderit si pjesë e stafit profesional. Sipas ankesës, kishte dyshime nëse ato i plotesonin kushtet ligjore për ushtrim të profesionit në Kosovë.

Njëri nga anëtarët e komisionit vlerëssues, Rexhep Hajdaraj, kishte kundërshtuar rekomandimin pozitiv per operatorin ekonomik dhe kishte kërkuar interpretim zyrtar nga Oda e Inxhiniereve të Kosovës. Oda kishte reaguar duke theksuar se pas datës 30 maj 2025 asnjë inxhinier i palicencuar nuk mund të ushtrojë profesionin në Kosovë.

Gjithashtu, janë ngritur edhe dyshime për konflikt interesi në vet OSHP-në. Sipas pretendimeve, ekzistojne lidhje familjare mes anëtarit të panelit shqyrtues në OSHP, Vedat Poterqoi, dhe pronarit te “Eurokos Holding”, Ylber Shamolli. OSHP nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar ekzistencën e konfliktit të interesit, por ka deklaruar se të gjitha lëndët trajtohen në mënyrë të barabartë dhe se zyrtarët obligohen të deklarojnë vet konfliktin eventual të interesit.

Detajet i gjeni në kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova.

 

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT