Më 27 shtator të vitit 2010, Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit të Republikës së Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se Sejdiu kishte mbajtur njëkohësisht postin e presidentit dhe atë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pavarësisht se funksionet e tij në parti ishin pezulluar.
Vendimin për dorëheqje Sejdiu e bëri publik gjatë një konference për media, ku iu drejtua qytetarëve dhe opinionit publik.
“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës. Sot unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Sejdiu.
Ai kishte thënë se që nga 10 shkurti i vitit 2006, kur kishte marrë detyrën e presidentit, e kishte ushtruar këtë funksion me përgjegjësi dhe përkushtim.
“Kam ushtruar këtë funksion me përgjegjësi, me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të pastër, gjithnjë duke pasur si udhërrëfyes themelor interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë të dashur”, ishte shprehur ai.
Dorëheqja e Sejdiut shënoi përfundimin e mandatit të tij si president i Kosovës, detyrë të cilën e kishte ushtruar që nga viti 2006.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


