Wednesday, August 19, 2026
spot_img
HomeLajme134 mijë euro për “transplantim të veshkës”, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj dy...

134 mijë euro për “transplantim të veshkës”, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj dy personave në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, të dyshuar se përmes një skeme mashtrimi për transplantim të veshkës i kanë shkaktuar një personi dëm material prej 134 mijë e 761 euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri V.H., gjatë periudhës nga 26 maji 2021 deri më 29 shtator 2023, në fshatin Lubeniq të Pejës, dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror e ka mashtruar të dëmtuarin, duke e vënë dhe mbajtur atë në lajthim përmes paraqitjes së rreme të fakteve.

Sipas Prokurorisë, V.H. dyshohet se është paraqitur rrejshëm si mjek në specializim në një spital në Turqi dhe i ka premtuar të dëmtuarit se do t’i mundësonte kryerjen e transplantimit të veshkës.

“Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, i pandehuri ka kërkuar dhe pranuar nga i dëmtuari mjete financiare, kinse për shpenzime spitalore dhe procedura lidhur me transplantimin. Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se ka përdorur në mënyrë të rreme të dhëna, dokumente dhe emra të mjekëve të një spitali në Turqi, me qëllim të krijimit të bindjes tek i dëmtuari se procedura e transplantimit do të realizohej, duke i shkaktuar atij dëm material në shumën prej 134 mijë 761 euro”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, i pandehuri A.K., sipas aktakuzës, dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale, duke e njoftuar të dëmtuarin me V.H.-në dhe duke e paraqitur atë rrejshëm si mjek në Turqi.

Sipas aktakuzës, A.K. dyshohet se i ka krijuar të dëmtuarit besim lidhur me kompetencat dhe mundësitë e V.H.-së për organizimin e transplantimit të veshkës.

Në këtë rast është i përfshirë edhe një person tjetër, i cili sipas aktakuzës dyshohet se është paraqitur si dhurues i veshkës. Për të, procedura penale është veçuar.

Prokuroria ka vlerësuar se, me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se dy të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale për të cilat akuzohen.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT