Tuesday, May 19, 2026
spot_img
HomeLajmeZv/kryeministri i RMV, Mexhiti: Ish-ushtarët e UÇK-së s’do të ndalohen më në...

Zv/kryeministri i RMV, Mexhiti: Ish-ushtarët e UÇK-së s’do të ndalohen më në kufi

Për shkak që Kosova nuk është anëtare e Interpolit – organizatës më të madhe policore globale, Serbia vazhdimisht i përditëson listat me emrat e ish-ushtarëve të UÇK-së në këtë institucion të sigurisë, gjoja për “krime lufte”.

Për shkak të kësaj, në korrik të vitit 2024, në pikëkalimin kufitar me Maqedoninë e Veriut, Jazhincë, bazuar në një fletëarrest të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes INTERPOL dhe me pretendimin për krime lufte në vitin 1999 në Kosovë, ishte arrestuar ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani.

Megjithatë, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, në një intervistë për KosovaPress thotë se ish-ushtarët e UÇK-së do të mund të lëvizin lirshëm në Maqedoni të Veriut, pavarësisht lëshimit të fletëarrestit nga Serbia në Interpol.

Ai deklaron se kanë marrëveshje politike në kabinetin qeveritar dhe se shumë shpejtë do të merret vendimi “sipas modelit kroat apo slloven që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë të përhershme”.

“Një prej çështjeve që ka mbetur prej të kaluarës është arrestimi i ish-ushtarëve Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Meqenëse Serbia është anëtare e Interpolit dhe Kosova nuk është, prandaj vazhdimisht i azhurnon listat e ushtarëve, dhe kjo mandej paraqet problem. Këtë problem nuk e kanë zgjidhur për 20 vjet pushtetet e kaluara apo partitë e kaluara shqiptare. Tash mund të them ekskluzive për juve se kemi marrëveshje politike në qeveri. Kemi marrëveshje politike që kjo të zgjidhet në mënyrë sistemore me modelin kroat, slloven dhe modelet evropiane. Dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt, po shohim vetëm cilin model të aplikojmë, dhe kjo do të jetë një zgjidhje sistemore, ligjore dhe e përhershme, ushtarët që të lëvizin lirshëm në Maqedoni, ashtu si lëvizin në vendet e Evropës. Kemi marrëveshje politike. Duhet ta bëjmë zgjidhjen ose në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ose në kuadër të qeverisë, ashtu si e ka zgjidhur Kroacia dhe Sllovenia. Dhe ne kemi marrëveshje politike që kjo të vlejë në kuadër të kësaj qeverie, duke e përmbyllur këtë çështje në mënyrë sistemore. Që ushtarët të lëvizin lirshëm në Maqedoni, ashtu siç lëvizin gjithandej në Evropë”, thekson ai.

Mexhiti thotë se “Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë thyer një paragjykim ndërkombëtar” se janë të distancuar me njëra-tjetrën. Sipas tij, dy vendet janë partnerë shumë të mirë dhe se bashkëpunimi “veçse po thellohet, si ekonomik ashtu edhe politik”.

Ai përmend mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në nëntor të vitit 2024 në Prishtinë, derisa thotë se kolonat e gjata në pikat kufitare do të përfundojnë me pikën e përbashkët kufitare që do të funksionalizohet, sipas tij, në fillim të muajit prill.

Duke folur për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, ai deklaron se ditëve në vijim do të shpallet procedura e ndërtimit të tunelit mbi gjashtë kilometra.

“Në këtë drejtim, një nga marrëveshjet e para që do të realizohet është krijimi i sistemit “One Stop Shop” në kufirin Bllacë dhe Jazhincë. Ky do të jetë modeli i parë i Maqedonisë së Veriut me një shtet që është identik me Kosovë-Shqipëri, i cili dukshëm do të lehtësojë më shumë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave. Mendoj se deri në fund të këtij muaji apo në fillim prillit do të lëshohet në përdorim. Mbetet për t’i rrumbullakuar dhe këto ditë do të lëshohet në testim dhe besoj se prilli do të gjejë Jazhincën dhe Bllacën, do të jetë një lehtësues i dukshëm në këtë drejtim”, shton Mexhiti.

Duke folur për Ligjin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut, Mexhiti thotë se gjuha shqipe do të marrë statusin e merituar si gjuhë zyrtare.

Sipas tij, e njëjta nuk do të cenohet asnjëherë dhe se do të jenë garant të mbrojtjes së saj.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, flet për KosovaPress edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe proceset rajonale.

Ai thotë se për koalicionin VLEN i cili është në qeverinë maqedonase, iniciativa “Ballkani i Hapur” është “e vdekur” dhe se ekzekutivi maqedonas e sheh si perspektivë vetëm Procesin e Berlinit – si mundësi të bashkëpunimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Këto duhet me i pa në kontekst më të gjerë, pasi nuk mund t’i shohim si çështje të izoluara. Në çfarëdo rrethane dhe çfarëdo momenti, ne duhet t’i shohim për pozicionim më të mirë dhe për zgjidhje më të mira në interes të Kosovës dhe shqiptarëve. [Njohja reciproke] patjetër, çdo gjë tjetër nuk do të ishte gjë që prodhon stabilitet dhe perspektivë për Ballkanin”, thotë ai.

Duke folur për rolin e presidentit amerikan, Donald Trump në Ballkanin Perëndimor, ai thotë se shqiptarët në rajon duhet të jenë më afër politikave të tij, pasi siç thotë ai, ShBA-ja vazhdimisht ka qenë në përkrahje të shqiptarëve.

The post Zv/kryeministri i RMV, Mexhiti: Ish-ushtarët e UÇK-së s’do të ndalohen më në kufi appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT