Olti Rexhepi, organizatori nga Kosova sonte në “Edicionin Special” në Klan Kosova ka folur lidhur me protestën e studentëve shqiptarë në Shkup e cila u mbajt me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Ai u shpreh se kanë qenë një numër i konsiderueshëm i studentëve nga Kosova, të cilët për të kaluar nuk kanë pasur asnjë problem.
“Kemi qenë goxha studentë nga Kosova, të cilët jemi nisur për atje dhe nuk kemi pasur asnjë lloj pengese të vogël. Kemi kaluar pa asnjë pikë problemi”, tha ai.
Rexhepi deklaroi se marshi përgjithësisht ka shkuar mirë, në përjashtim të një incidenti të vogël.
“Marshi ka qenë mjaftë i mirë, kishte ndodhur një incident i vogël, kishte ndodhur larg grupit të Kosovës. Ishin kapur disa pamje të cilat janë rrahur disa persona, nuk e di saktë, por thuhet se diku katër persona kanë sulmuar një person të vetëm, por nuk kam informacion të saktë”, tha ai.
Ndërkaq, për pjesëmarrjen, organizatori nga Kosova tha se ishte e kënaqshme.
“Pjesëmarrja ka qenë mjaftë e mirë, unë me shokët e mi të cilët kemi ndihmuar me gjërat e vogla për ta organizuar këtë protestë, kemi qenë të kënaqur”, deklaroi ai./Klankosova.tv


