Saturday, July 4, 2026
spot_img
HomeLajmeZulfaj për fondet e BE-së: Nëse nuk kemi institucione, i humbim edhe...

Zulfaj për fondet e BE-së: Nëse nuk kemi institucione, i humbim edhe 100 milionë euro

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se funksionalizimi i shpejtë i institucioneve të Republikës është vendimtar për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes, duke konfirmuar se vendi tashmë ka humbur mbi 40 milionë euro për shkak të vonesave në zbatimin e reformave.

Në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, ai tha se Kosova do ta dorëzojë më 15 korrik raportin e parë mbi zbatimin e Agjendës së Reformave (që përmban 111 hapa) në bazë të së cilës pritet të kërkojë lirimin e më shumë se 100 milionë eurove që i takojnë nga Plani i Rritjes.

Pas dorëzimit të raportit, Komisioni Evropian do të ketë tre muaj kohë për të verifikuar nëse reformat janë zbatuar sipas kritereve të dakorduara, e më pas do të vendosë për disbursimin e fondeve.

Zulfaj theksoi se mjetet financiare nuk transferohen automatikisht, por lidhen drejtpërdrejt me përmbushjen e secilit obligim të marrë nga Kosova në kuadër të Planit të Rritjes.

“Ne, me Planin e Rritjes do të duhej që çdo gjashtë muaj, të dërgojmë një raport tek Bashkimi Evropian, për progresin në agjendën e reformave. Agjenda e reformave i ka 111 hapa, të cilat janë vendosur nga institucionet tona si reforma…Ne deri më 30 qershor, rezulton që i kemi përmbushur 18 hapa. Nga këto 18 hapa do të shohim se cili do të jetë vlerësimi i Komisionit. Më 15 korrik ne do ta dërgojmë raportin bashkë me evidencën e përfundimit të hapave. Bashkimi Evropian ka tre muaj në dispozicion për të bërë vlerësimin e raportit tonë, bashkë me evidencën që e bashkëngjitim, për të vlerësuar nëse kështu qëndron siç kemi raportuar ne, dhe në momentin që konstatohet pozitivisht secili hap që është arritur, atëherë secili hap e ka një shumë të fondeve që duhet të jetë mbi 100 milionë euro fatura, le të themi, për lirimin e fondeve që ne do ta kërkojmë në këtë fazë. Sigurisht që do të ishte shumë më shumë sikur të hynte në fuqi marrëveshja më herët, edhe sikur të kishim një Kuvend i cili funksionon”, deklaroi ai.

Zulfaj vlerësoi se vonesat e shkaktuara nga kriza politike e muajve të fundit kanë ndikuar drejtpërdrejt në ritmin e reformave. Nga 13 hapat që duhej të përfundonin deri më 30 qershor, shtatë janë realizuar, ndërsa gjashtë kanë mbetur pezull, kryesisht për shkak se kërkojnë miratimin e ligjeve nga Kuvendi.

Sipas kryenegociatorit, kjo situatë i ka kushtuar Kosovës rreth 40 milionë euro fonde që konsiderohen të humbura për arsye se ato nuk u “merituan” në kohën e duhur.

Ai tha se reformat e mbetura nuk janë braktisur dhe se ato do të mund të miratohen nga legjislatura e re, por vonesat kanë pasoja financiare që ndikojnë në zbatimin e Planit të Rritjes.

“Po ne i kemi 13 hapa i kishim deri në 30 qershor. Prej tyre 7 rezultojnë të përmbushur dhe 6 që nuk kanë arritur të përfundohen. Në mesin e tyre pesë prej hapave janë kërkojnë ligje. Siç e dini, pjesa kryesore ndoshta e kësaj reforme, dhe pastaj do të ta bëj një dallim sepse reformat do të kryhen. Ju e dini që janë 6 ligje të reformës në drejtësi, të cilat ishin si një lloj vetingu i drejtësisë…(rreth 31) Pra të gjitha këto do të bëhen, sepse janë për të mirën e qytetarëve dhe të Republikës dhe janë reforma. Dhe sigurisht që por është e dëmshme që nuk janë përfunduar le të themi në afatin e 30 qershorit, por mund të bëhen tashmë në legjislaturën e re. Mund të bëhen me një muaj vonesë. Dhe kush duhet ta marrë faturën për këto 2 muaj, në mungesën e humbjes së fondeve? Unë mendoj që duhet të shohim shumë vitin e kaluar. Gjithë viti humbi. Jo vetëm që janë 40 milionë euro që llogaritet të humbura. Por unë kisha shtuar këtu, edhe 20 milionë euro tjera e më shumë sa po na kushtojnë zgjedhjet e 10 dhjetorit të vitit të kaluar dhe të 7 qershorit”, shtoi Zulfaj.

Lidhur me fondet që nuk arrijnë të tërhiqen brenda afateve, Zulfaj sqaroi se vendimi për fatin e tyre i takon Bashkimit Evropian. Sipas tij, ato mund të rishpërndahen te shtetet e tjera të rajonit, të rikthehen në formën e asistencës teknike për Kosovën ose të mbeten në buxhetin e BE-së.

Duke folur për përgjegjësinë politike për humbjen e këtyre mjeteve, Zulfaj tha se bllokada institucionale e 2025-ës ka ndikuar në mosarritjen e objektivave për 2026, teksa insistoi se çështjet politike nuk duhet të pengojnë proceset që lidhen me përfitimin e fondeve evropiane.

Ai theksoi se Kuvendi duhet të sigurojë miratimin e reformave edhe nëse mungon konsensusi për tema të tjera politike, pasi projektet që financohen nga Plani i Rritjes lidhen drejtpërdrejt me interesin e qytetarëve.

Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse nuk ka marrëveshje e pajtim politik deri në fund të vitit Kosova mund të përballet me një tjetër sfidë, që nënkupton rrezikun potencial për të humbur edhe 100 milionë tjera. Kjo për faktin se deri më 31 dhjetor duhet të zbatohen edhe dhjetëra hapa të tjerë të Agjendës së Reformave, për të cilët vendoset në Kuvend.

Sipas Zulfajt, këto mjete janë të destinuara për investime në infrastrukturë, arsim, drejtësi, digjitalizim dhe fusha të tjera zhvillimore, prandaj ai u bëri thirrje të gjitha forcave të tregojnë përgjegjësi dhe të mos lejojnë që përplasjet politike të bllokojnë reformat dhe fondet e Bashkimit Evropian.

Zulfaj iu ka bërë thirrje partive opozitare që, edhe “nëse vendosin të mos e bëjnë kuorumin për zgjedhjen e presidentit dhe më pas ta çojnë vendin në zgjedhje”, të paktën të mos pengojnë miratimin e reformave të nevojshme në Kuvend, madje me procedurë të përshpejtuar, nga të cilat varet shumë përfitime që mund të vijnë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së e cila nxit përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e Bashkimit Evropian në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese.

Me zbatimin e këtyre reformave që po i kërkohen, por të cilat i duhet gjithsesi shtetit, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë hua afatgjata.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT