Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e së hënës një shtëpi në Podujevë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa intervenimi i Policisë dhe zjarrfikësve ka bërë që rreziku të vihet nën kontroll, raporton Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 24 gusht, rreth orës 19:20, në rrugën “Nimon Aliu”, në afërsi të rrugës “Nazim Gafurri”.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se pas pranimit të informatës se një shtëpi ishte përfshirë nga flakët, në vendngjarje janë mobilizuar menjëherë njësitë policore dhe zjarrfikësit.
Flakët kishin kapluar shtëpinë, por falë intervenimit të ekipeve në terren rreziku është arritur të evitohet dhe zjarri është vënë nën kontroll.
Megjithatë, dëmet materiale janë të mëdha.
Sipas deklarimit të pronarit, E.R., rreth 37 vjeçar, dëmi i shkaktuar nga zjarri llogaritet të jetë rreth 20 mijë euro.
Në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesit dhe njësia e Forenzikës së Stacionit Policor në Podujevë, të cilët kanë nisur ekzaminimet për të përcaktuar se si ka shpërthyer zjarri dhe çfarë e ka shkaktuar atë.
Në këtë fazë nuk ka person të identifikuar si të dyshuar, ndërsa shkaku i zjarrit mbetet për t’u sqaruar.
Për rastin është njoftuar edhe Prokurori kujdestar dhe, me urdhër të tij, rasti është evidentuar nën cilësimin “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


