Emisioni “MAT” në Klan Kosova ka sjellë dokumentarin mbi nisjen e lëvizjes për pajtimin e gjaqeve, e cila kulmoi me tubimin madhështor në Verrat e Llukës.
Gazetari dhe autori Liridon Zeqiri ka shpjeguar në emisionin “Ora 7” se inciativa për faljen e gjaqeve u nis fillimisht nga studentët dhe të rinjtë si një hap drejt ndaljes së gjakderdhjes dhe afrimit të shoqërisë kosovare në rrugën drejt çlirimit.
Ai mes tjerash ka treguar se të gjitha përgatitjet u bënë brenda dy javësh dhe pjesëmarrja tejkaloi pritjet, duke arritur në qindra mijëra njerëz.
“Kur është menduar të organizohet një tubim që mund të ishte më madhështor, janë ulur, kanë biseduar dhe kanë provuar të gjejnë një simbolikë, dhe kanë vendosur te Verrat e Llukës. Kjo për shkak se në vitin 1993 është mbajtur një tubim i ngjashëm, dhe në vitin 1910 edhe aty kanë marrë pjesë mijëra njerëz, rreth 15-20 mijë veta. Kanë paraparë se do të vijnë mijëra njerëz, por jo më shumë se 500 mijë veta. Përgatitjet janë bërë për dy javë për atë tubim, por sinjalet e para që do të jetë një tubim madhështor janë se njerëzit kanë nisur të vijnë që prej orëve të mëngjesit, dhe fshatarët janë organizuar për t’i pritur, për t’u shtruar ushqim, për t’i hapur odat dhe për mikpritje. Aty janë falur rreth 150 gjaqe në atë ditë”, tha Zeqiri.
E krejt kjo lëvizje në tërësi kishte rezultuar me rreth afro 1500 raste falje të gjaqeve në krejt Kosovën brenda një viti./Klankosova.tv
Për dokumentarin e plotë, ndiqni videon e bashkangjitur:


