Policia e Lucernës ka zbuluar një plantacion të madh kanabisi në Menznau të Zvicrës, ndërsa gjatë operacionit janë arrestuar tre persona, përfshirë dy shtetas shqiptarë.
Sipas autoriteteve, aksioni u zhvillua më 5 gusht 2026 në zonën Rötelberg, ku u zbulua një plantacion profesional në ambient të hapur.
Gjatë ndërhyrjes, dy persona tentuan të largoheshin, por u kapën nga policia me ndihmën e qenit policor “Quanto”.
Të arrestuarit janë dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas zviceran, të moshës nga 28 deri në 42 vjeç.
Plantacioni shtrihej në një sipërfaqe prej rreth 1.3 hektarësh, ndërsa në vendngjarje u gjet edhe infrastruktura e nevojshme për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit.
Analizat laboratorike treguan se disa prej bimëve kishin përmbajtje të THC-së deri në 12 herë më të lartë se kufiri i lejuar me ligj.
Për rastin kanë nisur procedura penale ndaj gjithsej gjashtë personave, ndërsa hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë Publike të Sursee-s.
Autoritetet zvicerane theksuan se për të gjithë personat e përfshirë vlen prezumimi i pafajësisë deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


