Mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë janë gjetur gjatë gërmimeve të zhvilluara në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se gjatë operacionit të zhvilluar më 14 gusht, në të ashtuquajturin “lokacioni 3”, janë gjetur mbetje eshtërore të tre personave.
Në operacion kanë marrë pjesë ekipe të përbashkëta të hetuesve të krimeve të luftës, njësive përkatëse policore dhe ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë gërmimeve ekspertët kanë konstatuar se mbetjet eshtërore të gjetura janë me prejardhje njerëzore dhe me interes forenzik.
Dyshimet fillestare janë se ato mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë dhe se personat, mbetjet e të cilëve janë gjetur, potencialisht ndodhen në listën kombëtare të personave të zhdukur.
Gërmimet dhe veprimet hetimore në këtë zonë lidhen me një rast që po trajtohet nën dyshimet për “Krime lufte kundër popullatës civile”, që daton nga 19 prilli i vitit 1999.
Sipas të dhënave të rastit, viktima të krimeve që po hetohen janë 23 civilë shqiptarë, ndërsa personat e dyshuar ende figurojnë si të paidentifikuar.
Identiteti i personave, mbetjet e të cilëve janë gjetur më 14 gusht, ende nuk është konfirmuar dhe pritet t’u nënshtrohet procedurave mjeko-ligjore për identifikim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


