Ylli i Barcelonës dhe një nga talentet më të mëdha të futbollit botëror, Lamine Yamal, ka folur për vështirësitë e fëmijërisë dhe sakrificat e prindërve të tij, duke theksuar se suksesi i tij i sotëm i dedikohet në masë të madhe familjes.
Në një intervistë për El País, gjatë grumbullimit me Kombëtaren e Spanjës në Kupën e Botës, 18-vjeçari kujtoi momentet e para që e lidhin me turneun më të madh të futbollit.
Ai tregoi se kujtimi i tij i parë i Kupës së Botës është nga viti 2014, kur e kishte parë ndeshjen Kolumbi–Uruguai së bashku me nënën e tij.
Yamal u ndal edhe te vështirësitë ekonomike që familja e tij ka kaluar, duke vlerësuar përkushtimin e prindërve.
“Ajo që kanë bërë nëna dhe babai im për mua është diçka që unë do ta bëja vetëm për fëmijën tim. Kur nuk ke para, është shumë e vështirë ta ndihmosh një fëmijë të luajë futboll. Prindërit e mi ia dolën t’i bënin të gjitha këto dhe unë nuk do të mund t’ua shpërblej kurrë”, ka thënë ai.
Futbollisti i ri theksoi se suksesi i tij është rezultat i punës dhe sakrificës shumëvjeçare, duke shtuar se gjithçka që ka arritur në karrierë e ka fituar vetë përmes përkushtimit.
“Gjithçka që kam sot e kam fituar duke luajtur futboll. Askush nuk ma ka dhuruar dhe nuk kam trashëguar asgjë”, u shpreh Yamal.
Ai shtoi gjithashtu se, pavarësisht këshillave të të tjerëve, beson se secili duhet të gëzojë frytet e punës së vet dhe të jetojë me rezultatet e arritura.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


