Sulmuesi anësor i Austrisë, Patrick Wimmer, ka folur para përballjes me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke vlerësuar dy futbollistët kosovarë që janë bashkëlojtarë të tij te Hoffenheimi, Leon Avdullahun, Fisnik Asllanin dhe Albian Hajdarin.
Wimmer tha se i ka parë nga afër të dy gjatë javëve të fundit në klubin gjerman, duke i cilësuar ata si lojtarë të mirë dhe të rrezikshëm me topin.
“Po, i kam parë gjatë javëve të fundit te Hoffenheim. Të tre janë djem shumë të mirë dhe lojtarë fantastikë. Mendoj se të tre janë shumë të mirë me topin”, deklaroi Wimmer, duke përfshirë edhe Albian Hajdarin në vlerësimin e tij.
Austriaku tregoi se Asllanin e njeh prej më gjatë, pasi të dy kanë qenë pjesë e Austria Vjenës.
Ndërkohë, për Avdullahun ai veçoi aftësinë për të kërkuar vazhdimisht topin, për të dhënë pasime dhe për të bërë presing ndaj kundërshtarit.
“Mendoj se Leoni, në mesfushë, është një lojtar që gjithmonë kërkon topin. Ai mund të japë pasime shumë të mira dhe gjithashtu di të bëjë presing ndaj kundërshtarit. Mendoj se është e vështirë të luash kundër këtyre lojtarëve”, tha Wimmer.
Ai foli edhe për Hajdarin, duke konfirmuar se mbrojtësi nuk pritet të jetë i gatshëm për këtë ndeshje për shkak të dëmtimit.
“Është më mirë që të luajmë bashkë. Tani do të jemi kundërshtarë dhe flasim pak për ndeshjen, por jo shumë”, përfundoi Wimmer.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


