Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ngritur nivelin e masave të kontrollit ndaj operatorit ekonomik “Apetit”, pas informacioneve të pranuara nga autoritetet e Malit të Zi lidhur me një dërgesë me mish me origjinë nga Brazili, e cila dyshohet se kishte për destinacion tregun e Kosovës.
AUV ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetin kompetent për sigurinë ushqimore në Mal të Zi, ndërsa sipas komunikimeve zyrtare, çështja atje po trajtohet nga Dogana e Malit të Zi. AUV ka thënë se është ende në pritje të informacioneve të plota zyrtare lidhur me rastin.
Megjithatë, sipas AUV-së, kontrollet ndaj “Apetit” kanë nisur që më 18 shtator dhe biznesi është vënë nën mbikëqyrje të vazhdueshme që nga fillimi i inspektimeve.
“Ekipi inspektues është urdhëruar të përfshijë në kontrolle të gjitha informatat relevante për të siguruar gjurmueshmëri të plotë mbi dërgesat me produkte”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Sipas institucionit, kontrollet përfshijnë verifikimin e dokumentacionit të importit dhe origjinës, afatet e përdorimit, sasitë e importuara dhe të shpërndara, si dhe destinacionet e produkteve të vendosura në treg.
Kontrolli është plotësuar edhe me marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave përkatëse.
AUV ka njoftuar se masa shtesë të kontrollit janë vendosur në dy linjat e kontrollit kufitar për çdo ngarkesë, ndërsa inspektorati i brendshëm po kryen kontrolle mbi të gjitha sasitë e produkteve që ndodhen në depo ose janë vendosur në treg.
Në kontrollet kufitare, AUV thotë se po bashkëpunon ngushtë edhe me autoritetet e tjera përkatëse që funksionojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit (MIK), me qëllim të verifikimit të plotë para hyrjes së produkteve në tregun e Kosovës.
Institucioni ka bërë të ditur se, varësisht nga të gjeturat dhe vlerësimi i nivelit të rrezikut, do të ndërmarrë masa ekzekutive në përputhje me procedurat ligjore.
Në rast se konfirmohet ndonjë rrezik për shëndetin publik që lidhet me sigurinë ushqimore, AUV ka paralajmëruar masa të menjëhershme, përfshirë ndalimin e qarkullimit dhe tërheqjen nga tregu të çdo produkti që nuk i përmbush kriteret ligjore të sigurisë ushqimore.
AUV ka thënë se konsumatorët do të informohen për çdo të gjetur të evidentuar gjatë kontrolleve dhe për masat e ndërmarra. Nëse identifikohet një produkt konkret që paraqet rrezik, institucioni do të publikojë informacionin e nevojshëm për identifikimin e tij dhe udhëzimet për konsumatorët.
“Secili produkt që nuk i plotëson kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore nuk do të lejohet të hyjë apo të mbetet në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


