Monday, June 29, 2026
spot_img
HomeLajmeVrasja tragjike në Ferizaj, Prokuroria: E pandehura dyshohet se kreu vrasjen në...

Vrasja tragjike në Ferizaj, Prokuroria: E pandehura dyshohet se kreu vrasjen në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje lidhur me vrasjen që ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në këtë qytet, ku Florim Haxhidema është gjetur pa shenja jete në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu”.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 22:50 autoritetet kanë pranuar informatën për rastin, ndërsa menjëherë në vendngjarje kanë dalë prokurori kujdestar dhe njësitë hetimore, të cilët kanë iniciuar hetimet për veprën penale “Vrasje”.

Për këtë rast, Prokuroria ka ndaluar për 48 orë një vajzë të dyshuar për përfshirje në krim, si dhe babain e saj, deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe rolit të tij në ngjarje.

“Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda dhe nga aty në bashkëpunim të plotë me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe me njësitë tjera relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj çështje penale. Lidhur me ketë rast, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar e dyshuara në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, është ndaluar edhe babai i saj (M.B)., deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së tij në këtë rast”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, sipas burimeve të Sinjalit, si të dyshuar për këtë rast janë ndaluar Muhamet Begisholli rreth 48 vjeç dhe vajza e tij Arjeta Roshaj rreth 24 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Trupi i pajetë i viktimës, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkaqeve të vdekjes.

Hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të rastit po vazhdojnë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me njësitë relevante policore.

Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për rastin.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT