Volkswagen po sjell platformën e video-lojërave AirConsole në disa prej modeleve të saj të destinuara për tregun amerikan, duke u mundësuar pasagjerëve të luajnë lojëra direkt përmes ekranit multimedial të automjetit.
Platforma, e zhvilluar nga kompania N-Dream, do të ofrojë lojëra të njohura si Tetris dhe Pac-Man, ndërsa fillimisht do të jenë në dispozicion rreth 20 tituj. Lojërat kontrollohen përmes telefonave inteligjentë të përdoruesve.
AirConsole do të jetë i disponueshëm nga viti model 2027 në Volkswagen Atlas, Atlas Cross Sport, Tiguan, Golf GTI, Golf R dhe ID. Buzz.
Përdorimi i lojërave do të lejohet vetëm kur automjeti është i ndaluar, ndërsa shërbimi kërkon lidhje interneti dhe abonim.
Për blerësit e modeleve Atlas, Atlas Cross Sport, Tiguan dhe Golf do të ofrohen tre muaj përdorim falas, ndërsa pronarët e ID. Buzz do të kenë një vit pa pagesë. Pas përfundimit të periudhës promocionale, abonimi do të kushtojë 149 dollarë në vit.
Në disa prej lojërave janë përfshirë edhe elemente që lidhen me markën dhe automjetet e Volkswagenit. AirConsole tashmë është i disponueshëm edhe në disa modele të markave të tjera, përfshirë BMW.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


