Sunday, June 21, 2026
spot_img
HomeLajmeVerë me dy fytyra: Java nis me reshje, ditëve të fundit rikthehet...

Verë me dy fytyra: Java nis me reshje, ditëve të fundit rikthehet dielli

Me hyrjen në stinën astronomike të verës, territorit i Kosovës pritet të ndikohet nga masa ajrore relativisht të paqëndrueshme, të cilat në fillim të javës do të sjellin kushte të ndryshueshme atmosferike.

Sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë ditëve të para do të favorizohet zhvillimi i vranësirave konvektive, reshjeve lokale të shiut dhe shkarkimeve rrufesh, kryesisht në orët e pasdites. Këto reshje vlerësohen si të dobishme për sektorin e bujqësisë, pasi kontribuojnë në ruajtjen e lagështisë së tokës dhe përmirësimin e kushteve agrometeorologjike për kulturat bujqësore, transmeton Klankosova.tv.

Kushtet biometeorologjike, sipas IHMK-së, në përgjithësi do të mbeten të favorshme për pjesën më të madhe të popullatës, ndonëse gjatë periudhave me temperatura më të larta dhe para zhvillimit të stuhive lokale mund të shfaqen shqetësime të lehta tek personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve atmosferike.

Ndërkohë, indeksi UV gjatë intervaleve me diell do të jetë i lartë, duke bërë që autoritetet të rekomandojnë shmangien e ekspozimit të gjatë në diell gjatë orëve të mesditës dhe përdorimin e masave mbrojtëse.

Parashikimi ditor:

E hënë

Do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat gjatë ditës parashihen të sjellin reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat do të luhaten nga 13 deri në 16°C në mëngjes, ndërsa maksimalet do të arrijnë 26 deri në 29°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–11 m/s.

E martë

Parashihet mot i vranët dhe me intervale me diell. Gjatë pjesës së dytë të ditës pritet shtim i vranësirave, të cilat vende-vende do të krijojnë kushte për reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale 13–16°C, ndërsa maksimalet 26–30°C. Era nga verilindja 1–9 m/s.

E mërkurë

Do të mbajë mot i ndryshueshëm dhe jostabil. Gjatë ditës parashihen reshje lokale shiu, të shoqëruara me shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale 13–16°C dhe maksimalet 27–31°C. Era nga verilindja 1–9 m/s.

E enjte

Parashihet mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Kushtet atmosferike do të jenë më të qëndrueshme, me gjasa të vogla për reshje. Temperaturat do të rriten, me minimale 13–16°C dhe maksimale 27–32°C. Era e lehtë nga verilindja 1–4 m/s.

E premte

Do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Moti do të jetë kryesisht i qëndrueshëm dhe i përshtatshëm për aktivitetet në natyrë.Temperaturat maksimale pritet të arrijnë 33°C, ndërsa minimalet 13–16°C. Era nga veriperëndimi 1–4 m/s.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT