Friday, April 24, 2026
spot_img
HomeLajmeVendimi për Banjskën, Sveçla: Mesazh i qartë, kushdo që cenon Kosovën do...

Vendimi për Banjskën, Sveçla: Mesazh i qartë, kushdo që cenon Kosovën do të përballet me drejtësinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se vendimi i sotëm në rastin “Banjska” ku u dënuan me burgim të përjetshëm dy persona, ndërsa i treti me 30 vjet duhet të jetë një mesazh i qartë se kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policinë e saj, do të përballet me drejtësinë.

Ai në një postim në Facebook shkruan se sulmi i 24 shtatorit 2023 nuk ishte një akt i izoluar, por një operacion i organizuar me mbështetje shtetërore nga Serbi.

“ Në këtë ditë të rëndësishme për drejtësinë e Republikës së Kosovës, vendimi për sulmin terrorist në Banjskë duhej dhe duhet të reflektojë vetëm një standard: dënime maksimale për të gjithë të përfshirët. Ky standard duhet të vlejë për secilin pjesëtar si pjesë e një rrjeti shumë më të gjerë prej 45 personash të identifikuar, pa përjashtim.

Sulmi i 24 shtatorit 2023 nuk ishte një akt i izoluar, por një operacion i organizuar me mbështetje shtetërore nga Serbia, me synim cenimin e rendit kushtetues dhe aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës.

Atë ditë, Republika e Kosovës jo vetëm që përballoi terrorizmin, por ndali një skenar të rrezikshëm për ndarje. Këtë e dëshmojnë faktet dhe provat që dokumentojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë.

Sot është e qartë: strukturat kriminale dhe paramilitare në veri janë çmontuar. Rendi kushtetues është mbrojtur. Tani mbetet që Serbia të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë aggresion”, tha ai.

Sveçla gjithashtu tha se dënimi nuk e kthen heroin Afrim Bunjaku, por sipas tij është një hap drejt drejtësisë për sakrificën e tij dhe për dhimbjen që mbetet te familja, kolegët dhe gjithë qytetarët tanë.

“Ky vendim duhet të jetë një mesazh i qartë: kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policinë e saj, do të përballet me drejtësinë.Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Milan Radoiçiqin”, shkroi ai.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim të përjetshëm Vlladimir Tolliqin dhe, Bllagoje Spasojeviqin, kurse Dushan Maksimoviq me 30 vjet.

 

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT