Avokatët e Andrew dhe Tristan Tate do të takohen të hënën me prokurorët federalë në Miami për të përcaktuar kalendarin e procedurave gjyqësore lidhur me kërkesën për ekstradimin e tyre në Mbretërinë e Bashkuar, ku përballen me akuza për përdhunim dhe trafikim seksual.
Gjatë seancës pritet të caktohet edhe data e dëgjimit për lirimin me kusht, afatet për dorëzimin e dokumenteve dhe data e seancës zyrtare për ekstradim. Vëllezërit Tate nuk janë të detyruar të marrin pjesë dhe avokatët e tyre kanë bërë të ditur se nuk do të jenë të pranishëm. Ata vazhdojnë të mbahen në paraburgim federal në Miami.
Shtëpia e Bardhë ka përjashtuar çdo mundësi ndërhyrjeje në proces. Zëdhënësja Karoline Leavitt deklaroi se presidenti nuk do të përfshihet në çështjen e ekstradimit të tyre, raporton Euronews, transmeton Sinjali.
Avokati i tyre, Joseph McBride, këmbëngul se Andrew dhe Tristan Tate janë të pafajshëm dhe se nuk duhet të ekstradohen për vepra penale që, sipas tij, nuk i kanë kryer. Ai e cilësoi kërkesën për ekstradim si të motivuar politikisht, pa paraqitur prova për këtë pretendim.
Prokurorët britanikë kanë ngritur akuza të reja që përfshijnë katër kallëzues shtesë, bazuar në prova të siguruara nga Policia e Bedfordshire. Sipas McBride, identiteti i këtyre personave nuk është bërë publik.
Akuzat, që lidhen me periudhën 2010–2017, përfshijnë përdhunim, sulm fizik, trafikim njerëzor, si dhe vepra penale që lidhen me imazhe të pahijshme të një të mituri dhe pornografi ekstreme.
Përveç tyre, vëllezërit Tate përballen edhe me një proces tjetër në Britani për akuza për përdhunim, lëndim trupor, trafikim njerëzor dhe shfrytëzim të prostitucionit për përfitim, lidhur me tre kallëzues të tjerë dhe ngjarje të viteve 2012–2015.
Andrew dhe Tristan Tate u zhvendosën në Rumani në vitin 2016 dhe u arrestuan atje në vitin 2022, pasi u akuzuan se kishin joshur gra për t’i shfrytëzuar seksualisht. Ata i kanë mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat, ndërsa procesi në Rumani është zvarritur për shkak të çështjeve ligjore dhe procedurale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Vëllezërit Tate s’duan të ekstradohen në Britani, Shtëpia e Bardhë: Trump nuk do të ndërhyjë appeared first on Sinjali.


