Një vajzë gjashtëvjeçare, e cila ishte raportuar e rrëmbyer nga babai i saj në Mallorca të Spanjës, është gjetur në Kosovë pas një operacioni të gjerë ndërkombëtar të autoriteteve policore.
Sipas Gardës Civile Spanjolle, rasti kishte nisur rreth dy javë më parë, kur i dyshuari kishte marrë vajzën dhe ishte larguar nga ishulli, duke përdorur metoda të ndryshme për të shmangur kontrollin kufitar dhe gjurmimin e autoriteteve.
Hetimet zbuluan se gjatë arratisjes ishin përdorur edhe mjete për të devijuar gjurmimin, përfshirë manipulime me pajisje gjurmuese dhe ndryshime të identitetit dhe dokumenteve.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, pas një bashkëpunimi të ngushtë ndërkombëtar mes autoriteteve spanjolle, gjermane dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë, Policia e Kosovës ka lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarin me inicialet A.M.L. (1989) në një operacion të zhvilluar më 24 qershor.
Vajza e mitur është gjetur e sigurt dhe është vendosur nën mbrojtjen e autoriteteve kompetente, ndërsa më pas është kthyer në Spanjë dhe i është bashkuar nënës së saj.
Autoritetet spanjolle vlerësuan ndërhyrjen e shpejtë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke e cilësuar rastin si një nga hetimet më të ndjeshme të zgjidhura brenda një kohe të shkurtër.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


