I biri i ish-presidentit Dr. Ibrahim Rugova, Uka, bashkë me disa kandidatë për deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë qëndruar sot në disa fshatra të Suharekës, duke takuar qytetarë dhe mbështetës të LDK-së.
Një ndalesë e veçantë e tyre ishte në odën e Bajram Sopës, një veprimtari të madh të çështjes kombëtare dhe bashkëpunëtor i presidentit historik të Kosovës, i cili ndër vite u ka shërbyer interesave të popullit shqiptar, duke lëshuar në vitet ’90 edhe shtëpinë e tij për shkollimin e të rinjve nga Kosova, transmeton Klankosova.tv.
Me këtë rast, Ukë Rugova, duke mbështetur Albena Reshitajn në rrugëtimin e përbashkët për zgjedhjet e 7 qershorit, së bashku me të, simbolikisht me duar kanë formuar numrin 7, me të cilin Reshitaj garon në listën e LDK-së për deputete.
Kjo afërsi e tyre rrjedh që para disa dekadash, kur Dr. Rugova dhe daja i Albena Reshitajt, Murat Bujupi, ishin shokë shkolle dhe bashkëpunëtorë edhe në krijimtarinë letrare.


