Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, ka njoftuar se janë identifikuar kufomat e shtatë personave nga Klina, të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Viktimat u ekzekutuan gjatë Masakrës së Kralanit, një nga krimet më të rënda të kryera nga forcat serbe.
Mbetjet mortore u gjetën në fshatin Bishtazhin të Gjakovës.
Gara, për Klankosova.tv tha se kolegët e tij nga Zyra dhe nga Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë qenë në takim me familjarët e shtatë viktimave të Masakrës së Kralanit, që ishin në Listën e Personave të Zhdukur me qëllim të informimit zyrtar për rezultatet e identifikimit të më dashurve të tyre.
Ky proces, tha ai, “është kryer me kujdes dhe respekt të plotë ndaj familjeve të viktimave të identifikuar”.
“Siç e kemi theksuar në vazhdimësi, në momentin e parë të identifikimit, më saktësisht kurdo që pranojmë njoftimin nga ekspertët e IML-së për përcaktimin final të identifikimit të viktimave që janë në Listën e Personave të Zhdukur, atëherë si hap i parë është njoftimi i familjeve, gjithnjë në koordinim edhe me institucionet komunale”.
“Gjithsesi që pastaj mbetet në të drejtën e familjeve për të vendosur për datën dhe vendin e rivarrimit dhe si Komision Qeveritar për Persona të Zhdukur mbesim në mbështetje të plotë të familjarëve në përgjigje të kërkesave edhe gjatë ceremonisë së rivarrimit”, deklaroi Gara.
Ai tha më tej se mbetjet mortore (eshtrat) të viktimave të identifikuara, janë gjetur dhe zhvarrosur nga lokacioni i varrit masiv në Bishtazhin, lokacion ky që, sipas tij, është trajtuar me shumë prioritet dhe profesionalizëm nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Drejtoria e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, me mbështetjen edhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gara tha se ky rast duhet të rikthejë edhe një herë në vëmendje dhimbjen e mijëra familjeve që ende presin drejtësi dhe fatin e të afërmve të tyre të zhdukur. /Klankosova.tv
The post U gjetën eshtrat e 7 viktimave të Masakrës së Kralanit, Gara: Procesi u krye me respekt të plotë ndaj familjeve appeared first on Klan Kosova.


