Mijëra qytetarë janë mbledhur edhe sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke vazhduar protestat kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në mesin e turmës është parë një flamur gjigant kuqezi, mbi të cilin janë vendosur simboli i UÇK-së dhe shqiponja dykrenare. Pamjet nga sheshi tregojnë një numër të madh qytetarësh të mbledhur rreth flamurit.
Në protestën e sontme po marrin pjesë edhe Endrit Thaçi, djali i Hashim Thaçit, dhe Klestor Veseli, djali i Kadri Veselit. Pranë tyre është parë edhe këngëtari Ledri Vula.
Vula është parë në mesin e protestuesve dhe më pas i është drejtuar edhe qytetarëve të mbledhur në shesh.
Protestat në Prishtinë nisën pas shpalljes së aktgjykimit më 16 shtator dhe kanë vazhduar për disa ditë radhazi. Në ditët e fundit, mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale.
Protesta e sontme është zhvilluar nën moton “Jo në emrin tim”, ndërsa në shesh janë parë flamuj kombëtarë dhe të UÇK-së, si dhe janë dëgjuar thirrje në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Kjo është nata e pestë radhazi e protestave në Prishtinë që nga vendimi i Hagës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


