Anëtar i ri i Kryesisë së Aleancës, Kreshnik Smajlaj, ka reaguar në lidhje me rastin tragjik që ndodhi dje në kryeqytet ku një 20-vjeçar humbi jetën.
Smajlaj u shpreh shumë i pikëlluar, duke i shprehur familjarëve ngushëllimet e tij, derisa punëtorit të lënduar i uroi shërim të shpejtë.
“E gjithë kjo situatë shqetësuese, në vend se të shërbejë si moment reflektimi dhe uniteti për të rritur sigurinë, po përdoret si arenë për akuza, kundërakuza dhe përplasje politike mes niveleve të pushtetit. E dhimbshme të shohësh që edhe këto tragjedi janë bërë subjekt i luftës politike në Kosovë”, tha ai.
Tutje Smajlaj u shpreh se tani nuk është koha për të treguar me gisht se kush e ka fajin por është momentumi i fundit që të gjitha institucionet, si ato të nivelit lokal ashtu edhe ato të nivelit qendror të ulen në një tryezë të përbashkët me ekspertët e fushës.
“Duhet të punojmë me urgjencë, me një qasje konstruktive dhe plotësisht profesionale, për të hartuar dhe zbatuar mekanizma konkretë që parandalojnë përsëritjen e këtyre rasteve të rënda. Siguria në punë dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve në Prishtinë dhe në të gjithë Kosovën, duhet të shndërrohen në një prioritet të panegociueshëm kombëtar. Duhet t’i lëmë anash ndasitë partiake dhe të bashkohemi rreth një qëllimi: krijimit të një mjedisi të sigurt ku prindi, djali apo vajza nisen për punë dhe kthehen shëndosh e mirë në shtëpi“, u shpreh anëtari i kryesisë.
Ai gjithashtu tha se siguria e punëtorëve dhe e qytetarëve tanë duhet të jetë prioritet mbi çdo interes tjetër.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


