Tre persona kanë humbur jetën nga asfiksia në Ciudad de Mexico, pasi mijëra tifozë dolën në rrugë për të festuar kualifikimin e kombëtares në fazën e 1/16 së finales së Kupës së Botës.
Sekretariati i Shëndetësisë i kryeqytetit meksikan ka bërë të ditur se tragjedia ka ndodhur pranë monumentit të njohur “Angel of Independence”, ku mijëra tifozë ishin mbledhur për të festuar fitoren 2-0 të Meksikës ndaj Ekuadorit në fazën e 1/32 së finales.
“Pas përpjekjeve të avancuara për reanimim, është konfirmuar vdekja e një burri 44-vjeçar dhe e një gruaje 19-vjeçare si pasojë e asfiksisë”, njoftuan fillimisht autoritetet shëndetësore përmes rrjeteve sociale.
Më vonë, autoritetet konfirmuan edhe viktimën e tretë, një grua 48-vjeçare, e cila kishte pësuar asfiksi në një rrugë pranë zonës së festimeve. Ajo ishte transportuar me urgjencë në spital, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Kryetarja e bashkisë së Ciudad de Mexico, Clara Brugada, ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave përmes një postimi në rrjetin social X, duke u bërë thirrje qytetarëve që festimet të shoqërohen gjithmonë me përgjegjësi, kujdes dhe empati.
Mijëra meksikanë dolën në rrugë pasi kombëtarja e tyre i dha fund një pritjeje 40-vjeçare për një fitore në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës. Triumfi ndaj Ekuadorit në stadiumin “Azteca” siguroi kalimin e bashkëorganizatorëve të turneut në 1/16 e finales.
Atmosfera festive, e mbushur me brohoritje dhe këngë, u zbeh nga pamjet e publikuara në rrjetet sociale, ku ekipet e emergjencës dhe paramedikët shiheshin duke u dhënë ndihmën e parë personave të shtrirë në tokë pranë zonës së festimeve.
Zona metropolitane e Ciudad de Mexico, me mbi 20 milionë banorë, është një nga më të populluarat në botë dhe shpesh përballet me grumbullime masive njerëzish, por kësaj radhe festa u shndërrua në tragjedi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


