Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar kontrollet ndaj udhërrëfyesve turistikë që ushtrojnë veprimtarinë pa licencë në Kosovë.
Sipas IQMT-së, gjatë ditës së sotme kontrollet janë zhvilluar në regjionet e Prizrenit, Prishtinës dhe Obiliqit, me qëllim evidentimin dhe parandalimin e ushtrimit të paligjshëm të kësaj veprimtarie.
Kontrollet po zhvillohen në bazë të Ligjit Nr. 08/L-074 për Turizmin dhe Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2024, që përcaktojnë kushtet dhe procedurat për regjistrimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesve turistikë.
Gjatë inspektimeve është evidentuar edhe angazhimi i udhërrëfyesve jo-vendas nga kompani turistike të vendeve të rajonit. IQMT thekson se, në rastet kur këta persona veprojnë pa licencën e nevojshme, ata janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Sipas Inspektoratit, përveç shkeljes ligjore, angazhimi i personave të palicencuar mund të ndikojë edhe në mënyrën se si prezantohen historia, trashëgimia kulturore dhe vlerat turistike të Kosovës.
Ushtrimi i veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik pa licencë përbën kundërvajtje dhe dënohet me gjobë prej 3,000 deri në 9,000 euro.
IQMT ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj operatorëve turistikë, personave juridikë, bizneseve individuale dhe personave fizikë që ushtrojnë ose mundësojnë ushtrimin e kësaj veprimtarie në kundërshtim me ligjin.
Inspektorati u ka bërë thirrje operatorëve turistikë që të angazhojnë udhërrëfyes në mënyrë të ligjshme dhe të respektojnë kriteret e përcaktuara.
Po ashtu, IQMT ka inkurajuar kompanitë turistike që të angazhojnë udhërrëfyes vendorë të licencuar, me qëllim të informimit të saktë të vizitorëve dhe promovimit profesional të trashëgimisë kulturore e turistike të Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


