Saturday, August 29, 2026
spot_img
HomeLajmeTragjedi në magjistralen Gjilan–Prishtinë | 63-vjeçari goditet nga vetura e policit, më...

Tragjedi në magjistralen Gjilan–Prishtinë | 63-vjeçari goditet nga vetura e policit, më pas përplaset dhe tërhiqet zvarrë nga një automjet tjetër – dy shoferët në ndalim

Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur mbrëmë në fshatin Llabjan të Novobërdës, ku një 63-vjeçar ka humbur jetën pasi është goditur nga dy automjete, raporton Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 28 gusht, rreth orës 22:00, në magjistralen Gjilan–Prishtinë, afër “Viva Fresh Store”.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Halil Maliqi.

Sipas informacioneve të rastit, në aksident janë përfshirë dy automjete – një Volkswagen Golf, që në momentin e aksidentit drejtohej nga një zyrtar policor, si dhe një Volkswagen Caddy, që drejtohej nga një 40-vjeçar.

Goditja e parë dhe përplasja fatale

Dyshohet se polici po lëvizte me Golf në magjistralen Gjilan–Prishtinë dhe, me të arritur në Llabjan, nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës.

Në ato momente, 63-vjeçari po kalonte rrugën.

Vetura dyshohet se e ka goditur këmbësorin dhe, nga fuqia e përplasjes, ai ka përfunduar në shiritin tjetër të rrugës.

Por tragjedia nuk përfundoi aty.

Nga drejtimi i kundërt po vinte një VW Caddy, i cili më pas e ka goditur viktimën.

Sipas të dhënave të rastit, pas goditjes së dytë, 63-vjeçari është tërhequr zvarrë për disa metra dhe ka mbetur për disa çaste nën automjet.

Lëndimet e marra rezultuan fatale.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që të dy drejtuesit e automjeteve të ndalohen për 48 orë.

Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i Halil Maliqit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Hetimet pritet të përcaktojnë dinamikën e plotë dhe përgjegjësinë individuale të secilit prej drejtuesve të automjeteve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT