Administrata e presidentit Donald Trump po përpiqet të deportojë një person që e përshkruan veten si spiun të CIA-s, i cili pretendon se është infiltruar në Al Kaeda pas sulmeve të 11 shtatorit dhe se e fitoi të drejtën për të jetuar në ShBA duke ndihmuar në dënimin e terroristëve.
Agjentët e Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave të ShBA-së (ICE) arrestuan Blerim Skoron, baba i tre fëmijëve, i lindur në Kosovë, jashtë një zyre të imigracionit në Nju Xhersi, ku ai po rinovonte dokumentacionin e tij në fillim të këtij muaji.
Avokatët e tij kanë paraqitur kërkesë në një gjykatë federale për të ndaluar deportimin, duke thënë se Skoros, 55 vjeç, i ishte premtuar qëndrim i përhershëm pas viteve të punës së rëndësishme si “agjent i CIA-s”.
Skoro, i cili punon si shofer taksie në Staten Island të Nju Jorkut dhe ka një bashkëshorte amerikane dhe fëmijë, kishte marrë në vitin 2022 shtyrje të deportimit për shkak të rrezikut që të kapej dhe të torturohej nga terroristët nëse do të dëbohej nga ShBA-ja.
Blerim Skoro, kosovari që thotë se punoi si spiun i Amerikës
Vendimi ishte pjesërisht i bazuar në ndihmën që Skoro pretendon se kishte dhënë për arrestimin e anëtarëve të Al Kaedës, Al Shabaab dhe Hezbollahut, sipas avokatëve të tij.
Sipas medias amerikane “CBS News”, tani ai ka frikë se qeveria, për të cilën pretendon se ka vënë jetën në rrezik, do ta dërgojë përsëri në Kosovë – në duart e atyre që, sipas tij, e duan të vdekur.
“Nuk e kam menduar kurrë se do të më tradhtonin në këtë mënyrë”, i tha ai “CBS News” në një intervistë telefonike nga Qendra e Ndalimit në Elizabeth të Nju Xhersit. “Ju lutem, nëse vdes, dua të vdes në këtë vend që fëmijët e mi të mund të më varrosin”.
Marrëdhënia e Skoros me zyrtarët e inteligjencës amerikane filloi kur ai u burgos për trafikim droge në vitin 2000, sipas dokumenteve të FBI-së.
Ai thotë se kishte vështirësi ekonomike teksa përpiqej të mbështeste fëmijët dhe prindërit e tij refugjatë, pasi familja kishte ikur nga lufta në Kosovë gjatë viteve 1990. Ai u kap duke transportuar heroinë jashtë vendit për një grup kriminal shqiptar.
I rritur si mysliman, ai u pranua nga një grup radikalësh islamikë në një burg në Manhattan, ku kishte filluar të vuante dënimin për trafik droge, sipas dosjeve të FBI-së, ku ai figuron si informator konfidencial. Pas 11 shtatorit, ai thotë se CIA-ja e kontaktoi për të shfrytëzuar këtë lidhje.
Gjatë kohës që ishte i burgosur në FCI Allenwood, një burg federal në Pensilvani, nga viti 2002 deri më 2006, Skoro thotë se siguroi informacione për FBI-në lidhur me terroristë, përfshirë Faysal Galabin nga “Lackawanna Six”, të cilin agjentët federalë e kishin përshkruar si qelizën e parë terroriste të fjetur të krijuar brenda ShBA-së; Randall “Ismail” Royer, nga rrjeti xhihadist i Virxhinias, i dënuar për organizimin e dhunës kundër trupave amerikane jashtë vendit; si dhe anëtarin e Hezbollahut, Junuz Fuaz.
Dokumentet e FBI-së nga viti 2004, të redaktuara në masë dhe të siguruara nga “CBS News”, e rendisin Skoron si informator në një hetim që kishte në shënjestër Osama bin Ladenin. Në disa raste, ai kishte siguruar informacione “të zbatueshme” dhe “të besueshme”, përfshirë detaje për një “kamp trajnimi në Siri”.
Skoro besonte se do të përfitonte ulje të dënimit për punën e tij, por në vend të kësaj u deportua në Kosovë në vitin 2007. Ai pretendon se CIA-ja i kishte kërkuar të infiltrohej në Al Kaeda nga Ballkani dhe se ishte kthyer në ShBA vetëm në vitin 2014, sipas një deklarate të mëparshme ligjore të paraqitur në rastin e tij të imigracionit.
Shqiptari që depërtoi në Al-Qaeda dhe u tradhtua nga CIA (VIDEO)
Skoro pretendon se ka vepruar i infiltruar në këtë grup terrorist nga viti 2007 deri në vitin 2009 për CIA-n, duke udhëtuar në një kamp të ISIS-it në Siri dhe duke vepruar në Liban, Jordani, Pakistan dhe Egjipt, si dhe në vendin e tij të lindjes.
Fotot dhe videot që ai kishte realizuar gjatë asaj periudhe e tregojnë në ambiente që duket se ndodhen në Lindjen e Mesme, së bashku me terroristë të njohur. Pamjet u përdorën në dokumentarin e vitit 2024, “The Accidental Spy”, si dhe në një episod të emisionit “The Shawn Ryan Show” në YouTube vitin e kaluar.
Ai duket se ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në arrestimin e terroristit nga Bruklini, Betim Kaziut, i cili u dënua me 27 vjet burg pasi tentoi të blinte armë për grupin terrorist somalez Al Shabaab, me qëllim sulmimin e trupave amerikane të vendosura jashtë vendit.
Në deklaratën e tij të dhjetorit 2020, Skoro shkroi se kishte telefonuar fshehurazi personin e CIA-s që e mbikëqyrte, për t’i treguar vendndodhjen e tij, ndërsa priste Kaziun në banesën e tij në Kosovë. Sipas tij, kjo çoi në arrestimin e terroristit me një pushkë, municion dhe granata në korrik të vitit 2009.
Skoro i ndau me “CBS News” email-et mes tij dhe një burri, për të cilin pretendon se ishte personi i CIA-s që e mbikëqyrte, i identifikuar si “Chris”, të datës 24 shtator 2009, ku thuhej: “Isha shumë i lumtur kur pashë se miku ynë Kaziu tani është kthyer në ShBA”. CIA nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Skoro pretendon gjithashtu se kishte ndihmuar në ndalimin e dërgesave të uraniumit drejt Kosovës, duke parandaluar një komplot të mundshëm për një “bombë të pistë”, dhe se duke filluar nga prilli i vitit 2015, pasi ishte kthyer në ShBA, kishte ofruar informacione të tjera për FBI-në dhe Policinë e Nju Jorkut, pasi, sipas tij, ishte kontaktuar nga një rekrutues i ISIS-it.
Avokati i tij i mëparshëm, Joshua Dratel, i tha “CBS News” se gjatë dekadës së fundit klienti i tij kishte bërë një “jetë plotësisht të ligjshme dhe produktive me familjen e tij, pas një përvoje të tmerrshme, në të cilën ai kishte shërbyer për Shtetet e Bashkuara me guxim dhe aftësi të mëdha”.
Kërkesa e tij për habeas corpus, e paraqitur në gjykatën federale pas arrestimit në fillim të këtij muaji, thotë se ai “ka punuar për CIA-n, Byronë Federale të Hetimeve dhe Administratën Amerikane Kundër Drogës për gati një dekadë” dhe pretendon se ka kryer “punë të përkushtuar dhe heroike si agjent i zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara”.
Bashkëshortja e tij, Susan Skoro, ishte me të në zyrën e imigracionit në Elizabeth të Nju Xhersit kur ai u arrestua më 3 gusht.
Agjenti kosovar i CIA-s: Takova Lavdrim Muhaxherin, ja kujt ia ka marrë gruan
Ajo tha se, sapo ai u paraqit në recepsion, zyrtarët e ICE-së iu afruan, e dërguan në një dhomë dhe më pas e larguan me një automjet.
“E tradhtuan. Ai e ka kryer dënimin e tij. Pothuajse e humbi jetën dhe askujt nuk i bëhet vonë. Ai meriton falje”, tha ajo.
“Ai nuk mund të deportohet askund në mënyrë të sigurt. Ne gjithmonë shikojmë pas shpine”.
Kosovari kishte shkuar për herë të parë në ShBA në vitin 1994, duke kërkuar azil pasi kishte dezertuar nga Ushtria e atëhershme Jugosllave. Ai kishte thënë se kishte dëshmuar përdhunime dhe vrasje të fëmijëve nga ushtarët.
Pas viteve të spiunazhit të vetëpërshkruar në emër të ShBA-së, Skoro thotë se identiteti i tij i fshehtë u zbulua dhe se u qëllua në këmbë gjatë një atentati në Kosovë, gjë që e detyroi të largohej dhe të hynte përsëri në ShBA në mënyrë të paligjshme përmes Kanadasë në vitin 2014.
Ai ra në duart e ICE-së në vitin 2016, pasi Policia e Nju Jorkut e arrestoi për përdorimin e kartelës së transportit publik me zbritje për studentë të vajzës së tij, duke nisur një betejë të gjatë ligjore për çështjen e imigracionit.
Në nëntor të vitit 2022, një gjykatës federal e ndaloi qeverinë ta deportonte Skoron në Kosovë për shkak të rrezikut që ai të torturohej ose vritej atje, në bazë të traktatit ndërkombëtar të njohur si Konventa Kundër Torturës, por nuk i dha atij status të rregullt të qëndrimit.
Bhairavi Desai, drejtoreshë ekzekutive e sindikatës së taksistëve ku bën pjesë Skoro, tha se ishte “e shokuar” kur zbuloi se statusi i qëndrimit të shoferit, të cilin e përshkroi si “mbresëlënës, argëtues dhe të sjellshëm”, ishte ende i pasigurt.
“Mendoja se, duke pasur parasysh punën që ai kishte bërë në luftën kundër terrorizmit në emër të CIA-s, ai tashmë do të kishte status të përhershëm këtu”, i tha Desai “CBS News”.
“Duket vërtet brutale që ta kenë përdorur në këtë mënyrë dhe tani ta hedhin në rrugë”.
Avokatët e Skoros, Rene Kathawala dhe Amy Greer, paraqitën kërkesën për habeas corpus më 4 gusht, duke argumentuar se, falë mbrojtjes së dhënë nga gjykata në vitin 2022, ICE duhet të marrë leje nga një gjykatës përpara se ta deportojë – diçka që, sipas tyre, agjencia nuk e kishte bërë.
Këtë muaj, ICE deportoi një grup shtetasish meksikanë që kishin të njëjtën mbrojtje si Skoro – shtyrje të deportimit sipas Konventës Kundër Torturës – pasi Departamenti i Shtetit mori garanci nga qeveria meksikane se të deportuarit nuk do të dëmtoheshin.
Procedurat për deportimin e tyre gjithashtu kishin nisur pa një kërkesë në gjykatën federale, raportoi javën e kaluar “The New York Times”.
“Ky është një tjetër rast që ngre pyetjen nëse Shërbimi i Imigracionit dhe Doganave mundet – pa njoftim, arsye apo procedurë – të arrestojë në mënyrë arbitrare dhe të mbajë pafundësisht një shtetas të huaj, të cilit i është dhënë mbrojtje nga deportimi sipas Konventës Kundër Torturës”, thuhet në kërkesën e ndryshuar për habeas corpus të Skoros, të paraqitur më 17 gusht.
“Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është qartazi jo. Ky qëndrim është konfirmuar nga vendime gjyqësore në të gjithë vendin”.
Gjykatësi i Gjykatës së Qarkut të ShBA-së, Robert Kirsch, urdhëroi qeverinë që të përgjigjej deri të enjten.
ICE konfirmoi se kishte pranuar kërkesën e “CBS News” për koment, por nuk dha përgjigje. CIA dhe FBI nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. /Klankosova.tv


