Saturday, September 19, 2026
spot_img
HomeLajmeTherje me thikë në Mitrovicë: Dy persona goditen në pjesë vitale, lëndohet...

Therje me thikë në Mitrovicë: Dy persona goditen në pjesë vitale, lëndohet edhe një polic jashtë detyrës – 19-vjeçari ndalohet për 48 orë

Një përleshje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 18 shtatorit në rrugën “Adem Jashari” në Mitrovicë, ku dy persona janë therur me thikë, ndërsa një zyrtar policor jashtë detyrës është lënduar gjatë përpjekjes për ta ndalur të dyshuarin.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar rreth orës 22:40 si rrahje në zhvillim, me ç’rast njësitet policore kanë dalë menjëherë në lokacion.

Në vendin e ngjarjes janë hasur tre persona të përfshirë në incident, ndërsa dy prej tyre, A.I, 31-vjeçar, dhe A.I, 26-vjeçar, kishin marrë plagë nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë, në pjesë vitale të trupit.

Të dy fillimisht janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal, e më pas janë transferuar në QKUK për trajtim të mëtejmë.

Në vendin e ngjarjes është arrestuar edhe i dyshuari, G.F 19-vjeçar, i cili po ashtu kishte shenja lëndimi dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë hetimeve fillestare është bërë e ditur se edhe një zyrtar policor jashtë detyrës kishte ndërhyrë për ta ndaluar të dyshuarin dhe, gjatë kësaj përpjekjeje, kishte pësuar lëndime të lehta në dorë. Edhe ai ka marrë trajtim në Spitalin Rajonal.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krimteknikët, të cilët kanë kryer ekzaminimin e vendit dhe kanë mbledhur provat që lidhen me rastin.

Për ngjarjen është njoftuar Prokurori i Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, i cili ka udhëzuar që rasti të hetohet në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë”.

Pas intervistimit, ndaj 19-vjeçarit është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Rasti mbetet nën hetime.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT