Të shtëna me armë zjarri kanë alarmuar qytetarët pasditen e 18 shtatorit në rrugën “Luan Haradinaj” në Junik, ku Policia ka intervenuar pas një telefonate në linjën 192.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar rreth orës 18:00, ndërsa patrulla policore ka dalë menjëherë në lokacion.
Aty është hasur i dyshuari S.P., 42-vjeçar, i cili, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ka pranuar se kishte shtënë me armë zjarri, pa ndonjë arsye të caktuar.
Policia e ka arrestuar dhe i ka sekuestruar një pistoletë TT M57, kalibër 7.62 mm, prodhim jugosllav, një karikator dhe 52 fishekë të të njëjtit kalibër.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe tetë gëzhoja, të cilat dyshohet se janë shkrepur nga e njëjta armë.
I dyshuari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.
Ndaj tij janë iniciuar rastet për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, 42-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


