Marina Mbretërore britanike ka zhvilluar një operacion 72-orësh për monitorimin e katër anijeve ruse, të cilat po lëviznin nga Deti i Veriut drejt Kanalit të La Manshit.
Operacioni, i cilësuar si “intensiv” nga zyrtarët britanikë, përfshiu anijet HMS Duncan, HMS St Albans dhe HMS Severn, si dhe një helikopter Merlin.
Sipas autoriteteve britanike, luftanija ruse “Admiral Levchenko” po shoqëronte anijet e ngarkesave “General Skobelev” dhe “Sparta”, të cilat janë nën sanksione, drejt Doverit. Rusia angazhoi gjithashtu fregatën “Neustrashimy” për mbrojtjen e ngarkesës.
Kreu i Marinës Mbretërore, Gwyn Jenkins, tha se Londra nuk duhet ta ulë vigjilencën ndaj aktivitetit rus.
“Nuk ka vend për vetëkënaqësi”, deklaroi ai, duke i cilësuar anijet e flotës së fshehtë ruse si “rrezik të papranueshëm” për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar.
Aktiviteti i anijeve ruse në ujërat britanike raportohet se është shtuar gjatë muajve të fundit. Vetëm në korrik, Marina Mbretërore i monitoroi ato për 21 ditë, rreth 25 për qind më gjatë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Mbi 500 anije të asaj që Londra e quan “flota e fshehtë ruse” janë aktualisht nën sanksione britanike. Operacioni zhvillohet mes tensioneve të shtuara ndërmjet Londrës dhe Moskës për shkak të mbështetjes ushtarake britanike për Ukrainën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


